K.R.U. “Gjakova” Sh.A. ka njoftuar qytetarët se më 21 gusht 2026, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka zhvilluar një inspektim në një objekt në pronësi të kësaj ndërmarrjeje, i cili ndodhet në zonën e II-të mbrojtëse.
Pas përfundimit të inspektimit, është hartuar procesverbali përkatës, të cilin K.R.U. “Gjakova” Sh.A. ka bërë të ditur se e ka pranuar dhe, sipas sugjerimeve të Inspektoratit të Mjedisit, e ka përcjellë te Operatori. Pranimi i njoftimit është konfirmuar edhe nga Operatori.
“Sipas njoftimit të Inspektoratit, më datë 24.08.2026 pritet të nxirret dhe t’i dërgohet K.R.U. “Gjakova” Sh.A. aktvendimi përkatës, bazuar në konstatimet e evidentuara gjatë inspektimit”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se pas pranimit të aktvendimit zyrtar dhe shqyrtimit të përmbajtjes së tij, përfshirë efektet juridike, do t’i informojë qytetarët për hapat e mëtejmë që do të ndërmerren.
K.R.U. “Gjakova” Sh.A. ka theksuar se njoftimi ka karakter informues dhe ka apeluar që për këtë rast të mos ketë keqinformim.
Të premten, më 21.08.2026, ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli paralajmëroi mbylljen e aktivitetit tek restauranti dhe hoteli “Liqeni i Dukagjinit” i cili ndodhet në zonën e Liqenit të Radoniqit.
Një ditë pas kanë reaguar nga ky hotel duke thënë se puna po vazhdon.

