Friday, September 18, 2026
HomeLajmeKosovëMINTI: Mbi 3,000 inspektime dhe rreth 600 mijë euro gjoba gjatë 2026-ës

MINTI: Mbi 3,000 inspektime dhe rreth 600 mijë euro gjoba gjatë 2026-ës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se gjatë pjesës së parë të vitit 2026 ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut dhe masat për mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka realizuar mbi 3,000 inspektime në fusha të ndryshme, ndërsa janë kryer edhe mbi 250 inspektime për verifikimin e kushteve minimale teknike të operatorëve ekonomikë.

Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar mbi 600 ankesa të konsumatorëve. Inspektorati ka zhvilluar aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Metrologjisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Masat ndëshkuese janë rritur gjithashtu. Sipas ministrisë, në pjesën e parë të vitit janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba, që paraqet rritje prej 33.33 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Rritja e numrit të inspektimeve dhe masave ndëshkuese synon forcimin e kontrollit të tregut dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

Shkeljet për të cilat janë shqiptuar gjobat përfshijnë mospërputhjen e çmimeve raft–arkë, shitjen e produkteve pa deklaracion apo me afat të skaduar, ushtrimin e veprimtarisë pa regjistrim, përdorimin e mjeteve matëse me afat të skaduar të vlefshmërisë dhe shkelje të tjera të legjislacionit.

“Inspektorati do të vazhdojë me aksionet e mbikëqyrjes në fusha me interes të veçantë publik, me qëllim adresimin e problematikave që prekin drejtpërdrejt qytetarët”, bëhet e ditur më tej.

Ndërkohë, ka përfunduar faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror. Deri në fund të vitit, synohet që numri i inspektorëve të tregut të arrijë në 100.

Për adresimin e ankesave, MINTI ka lansuar edhe një platformë në Viber në numrin +383 (46) 311-000. Gjithashtu, është funksionalizuar Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i cili deri në korrik ka mbajtur katër takime për trajtimin e problematikave të konsumatorëve.

“MINTI do të vazhdojë punën për forcimin e kapaciteteve inspektuese dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim krijimin e një tregu më të rregullt, transparent dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram