Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit të Grupit Parlamentar të VV-së, ka folur për media.
Ai ka folur lidhur me qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos votuar Bekim Sejdiun për president. Ai tha se VV e ka mbështetur Bekim Sejdiun.
Kurti: Nuk duhet, pa arsye dhe pa nevojë, të shkojmë në zgjedhje të reja
Kurti e cilësuar si absurde sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Ai theksoi se nuk duhet, pa arsye dhe pa nevojë, të shkohet në zgjedhje të reja.
Kurti: Marrëveshja me LDK-në është e vlefshme
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin e përbashkët për president, profesor Bekim Sejdiu, mbetet e vlefshme.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të VV-së, Kurti tha se deputetët e këtij grupi e kanë mbështetur në mënyrë të plotë kandidaturën e Sejdiut.
“Patëm një mbledhje me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast të gjithë u njoftuan për procesin negociator që është zhvilluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe marrëveshjen që kemi arritur me emrin e përveçëm të kandidatit të përbashkët, konsensual, me atributet e larta në kuptimin vleror, meritor e të kontributit, profesor Bekim Sejdiun”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e kanë mbështetur Sejdiun, ndonëse Kryesia e kësaj partie kishte konfirmuar mbështetjen për kandidaturën e tij.
“Mirëpo më pas patëm edhe këtë njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka grupi parlamentar i LDK-së nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës”, tha ai.
Kurti paralajmëroi se pas kësaj situate do të takohet përsëri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku
Kurti paralajmëroi se pas kësaj situate do të takohet përsëri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa tha se do të rikthehet edhe në Kryesinë e VV-së për të diskutuar hapat e mëtejmë.
“Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që në njërën anë unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe në anën tjetër që të rikthehem në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara”, deklaroi Kurti.
Ai e cilësoi të papërgjegjshme dhe të dëmshme sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së.
“E konsiderojnë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjeve duket që ka dëshirë e ka vullnet, ka interes që të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, tha Kurti.
Sipas tij, qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre në tri palë zgjedhje dhe nuk duhet të ketë përsëri zgjedhje të parakohshme pa arsye.
“Qytetarët kanë folur edhe më 9 shkurt, më 28 dhjetor të vitit 2025, kanë folur edhe më 7 qershor të vitit 2026. Nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.
Kurti falënderoi ekipet negociatore të VV-së dhe LDK-së për marrëveshjen e arritur.
“Me konstruktivitet, me mirëbesim, me kreativitet, me përkushtim kemi arritur të bëjmë marrëveshje. Dhe kjo është një lajm i mirë për skenën politike, për demokracinë në Kosovë”, tha ai.
Kurti përmendi edhe votat që kishte marrë më herët kandidatja Feride Rushiti dhe ato që, sipas tij, kishte marrë Bekim Sejdiu.
“Tash profesor Bekim Sejdiu mund të thoshim që dje i kishte 80 vota, sot i ka 74 vota. Pra, kemi një lëvizje nga 64 vota për Feride Rushitin te 74 vota për Bekim Sejdiun”, deklaroi ai.
Në fund, Kurti tha se marrëveshja politike me LDK-në mbetet në fuqi. “Për mua si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, si udhëheqës i delegacionit të ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme. Pra, ajo marrëveshje qëndron”, tha Kurti.
Ai shtoi se, sipas tij, gjashtë deputetët nuk e kanë kundërshtuar aq kandidatin Sejdiu, sa qeverinë që ai udhëheq.
“Duket qartë se nuk e kanë aq kundër profesor Bekim Sejdiut, sa kundër qeverisë që unë udhëheq”, tha Kurti.
“Por nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me rezultat të njëjtë me shpresë se ndoshta kësaj radhe rezultati do të jetë një çikë më ndryshe.Nuk do të jetë”, përfundoi Kurti.

