Monday, September 28, 2026
HomeLajmeKosovëTakimi Kurti-Abdixhiku, kreu i LDK-së: Ishte njoftim i rregullt

Takimi Kurti-Abdixhiku, kreu i LDK-së: Ishte njoftim i rregullt

Ka përfunduar takimi mbi dyorësh mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Kreu i LDK-së ka deklaruar se takimi ishte një njoftim i rregullt pas zhvillimeve të fundit.

Të dy liderët nuk kanë dhënë qëndrime zyrtare para mediave, pasi janë larguar përmes hyrjes së pasme të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, para një pjese të vogël të mediave që ndodheshin aty, Abdixhiku ka deklaruar se ai e kishte njoftuar Kurtin për atë që kishte ndodhur një ditë më parë, dhe se Kurti gjithashtu e kishte njoftuar për zhvillimet në kryesinë e tij dhe në grupin parlamentar.

“E njoftova zotin Kurti, dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e tij dhe grupin parlamentar”, tha Abdixhiku.

I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës, ai tha se për këtë duhet të pyeten ata që, sipas tij, po duan ta çojnë Kosovën në një fazë të paqartë.

“Për hapin e radhës duhet të pyesni ata që po duan ta çojnë Kosovën në një fazë të paqartë. Gjendja numerike në Kuvend është kjo që është. Unë jam përpjekur të gjej një zgjidhje, por distancimi i partive të tjera po e çon Kosovën në zgjedhje të reja. Çdo parti është e mirëseardhur të ndihmojë në këtë situatë. Ne jemi në një situatë të pamundur numerike për të zgjedhur presidentin e ri”, tha Abdixhiku.

(17:50) Kurti dhe Abdixhiku takohen sërish në Kuvend

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raportohet se po zhvillojnë sërish një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Sipas burimeve të RTK-së, takimi mes dy liderëve ka nisur nga ora 16:00.

Një takim të tillë e kishte paralajmëruar edhe vetë Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kishte theksuar se do të zhvilloheshin takime të reja me Abdixhikun për të diskutuar hapat e mëtejshëm lidhur me situatën politike.

Takimi i sotëm vjen pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së rreth kandidaturës për president të Sejdiut dhe përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike mes LVV-së dhe LDK-së.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram