Fëmijët e disa lagjeve të Prishtinës tashmë kanë hapësira më të rregulluara për lojë. Komuna e Prishtinës ka vazhduar punën për renovimin dhe përmirësimin e këndeve të lojërave në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur se punimet kanë përfunduar në Parkun e Qytetit, në Kolovicë dhe në Breg të Diellit.
“Po vazhdojmë me i rregullu lodrat nëpër lagje”, ka shkruar Musmurati, duke njoftuar se ndërhyrjet nuk do të ndalen me këto zona.
Sipas saj, edhe lagje të tjera të kryeqytetit do të përfshihen në këtë proces, me synim që fëmijët të kenë hapësira më të sigurta, funksionale dhe të përshtatshme për lojë dhe rekreacion.
Punimet në këndet e lojërave vijnë si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e hapësirave publike dhe krijimin e ambienteve më miqësore për familjet në Prishtinë.

