Në fshatin Berjah të komunës së Gjakovës është zbuluar pllaka përkujtimore e shtabit lokal të UÇK-së. Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se kjo pllakë përkujtimore do të mbetet dëshmi për brezat që vijnë se kjo trevë dha shumë burra e trima për lirinë e Kosovës.
Në shenjë mirënjohjeje e nderimi për kontributin e madh në shërbim të luftës për liri, në shtëpinë e familjes atdhetare të Hasan Ahmetaj, në Berjahë është zbuluar Pllaka Përkujtimore e Shtabit Lokal të UÇK-së.
Ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj tha se kjo pllakë përkujtimore do të mbetet dëshmi për brezat që vijnë se kjo trevë dha shumë burra e trima për lirinë e Kosovës.
“Ka qenë e drejtë që edhe Berjaha, edhe ata të ri e të reja, ata burra t’i dalin Zot vetes, të luftojnë për lirinë e vet dhe kanë bërë aq sa kanë mujt e ditë në rrethana që kanë qenë me e mbrojt lirinë tonë me e mbrojt jetën e njerëzve tonë, pasurinë e familjeve tona. Me e mbrojt pra atë që e kishim të domosdoshme me e gëzu lirinë, me e gëzu jetën”, ka thënë Ramush Haradinaj, ish-komandant i Zonës së Dukagjinit.
“Në këtë hapësirë u lidhen njerëzit, u përcollën lajmet, u barten furnizimet u mobilizuan të rinjtë dhe u krijua një rrjet që i dha forcë luftës çlirimtare. Prandaj kur flasim sot për Berjahë, nuk flasim vetëm për një fshat por për një portë të qëndresës shqiptare në Malësinë e Gjakovës, flasim për njerëz që e kuptuan se kufiri nuk mund të ndante shpirtin e një kombi dhe se liria e Kosovës ishte një çështje që kërkonte sakrificën e të gjithëve”, tha Musa Kurhasku, veteran i UÇK-së.
Në kuadër të këtij aktiviteti solemn u përkujtua dhe u kërkua zbardhja e vrasjes së oficerit, Hajdar Ahmetaj, anëtar i kësaj familjeje, i vrarë 23 vjet më parë.

