Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schubel.
Në fillim të takimit, Abdixhiku e ka uruar Schubelin për fillimin e mandatit në Kosovë, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të LDK-së, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të mbahet të mërkurën, si dhe qëndrimet e LDK-së lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve.
“Kryetari Abdixhiku theksoi rëndësinë që institucionet e Republikës së Kosovës të konstituohen sa më shpejt, në mënyrë që vendi të ketë institucione funksionale dhe të fokusohet në përmbushjen e prioriteteve të tij demokratike, ekonomike dhe evropiane”, thuhet në njoftim.
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe avancimit të agjendës evropiane të Kosovës.

