Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar me 1 vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018
Vendimi është shpallur sot nga gjykatësi Sabit Sadikaj. Sipas aktgjykimit, dënimi është me kusht dhe periudha verifikuese është caktuar në një vit.
Prokurori Valdrin Krasniqi kishte kërkuar më herët që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Ndërkaq, avokati i Sveçlës, Laur Prenaj, ka deklaruar se mbrojtja nuk do të bëjë deklarim, pasi, siç ka thënë ai, nuk ka pasur pranim të fajësisë.
Sveçla nuk ka qenë i pranishëm në Gjykatë gjatë shpalljes së vendimit.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Sveçlën fajtor më 2 shtator për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas gjetjeve të gjykatës, Sveçla kishte aktivizuar dhe hedhur një bombolë me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Në aktakuzë, Sveçla ishte ngarkuar edhe me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Për këtë pikë, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, pasi ka konstatuar se ndjekja penale kishte arritur parashkrimin.

