Në mungesë të kuorumit, nuk është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Ferizajt, e thirrur me kërkesë të opozitës për të diskutuar të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me ndërtimet e larta në këtë komunë.
Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm kryesuesi dhe 18 asamblistë nga radhët e opozitës, ndërsa asamblistët e pozitës nuk morën pjesë në seancë.
Opozita e ka kritikuar pushtetin për mungesën në seancë dhe ka adresuar akuza ndaj kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, lidhur me gjendjen urbanistike në qytet.
Sipas opozitës, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka evidentuar probleme në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban, ndërsa mosmbajtja e seancës, sipas tyre, pamundësoi diskutimin dhe marrjen e përgjigjeve nga drejtuesit komunalë.
Në seancë, në emër të pushtetit lokal, ishte i pranishëm vetëm drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi. Ai ka thënë se ishte i përgatitur për t’u dhënë përgjigje dhe sqarime asamblistëve lidhur me raportin e auditimit.
Opozita ka nisur ndërkohë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një tjetër seance të jashtëzakonshme, në të cilën synon të diskutojë raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërtimet e larta në Ferizaj.

