Friday, September 25, 2026
HomeLajmeKosovëKomisioni për Buxhet miraton ndarjen e mjeteve për RTK-në

Komisioni për Buxhet miraton ndarjen e mjeteve për RTK-në

Me 7 vota për, asnjë kundër e dy abstenime, Komisioni për Buxhet në Kuvendin e Kosovës e ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në për periudhën janar-qershor 2026, në vlerë prej 4 milionë e 480 mijë euro. Po ashtu, Komisioni ka udhëzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Thesarit që ta bëjë transferimin e këtyre mjeteve në buxhetin e RTK-së.

Paraprakisht, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, ka theksuar se meqenëse raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar nga Bordi i RTK-së për këtë arsye nuk duhet të hidhet në votim.

“Siç e patë edhe deklarimin e menaxhmentit dhe bordit raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar në Bordin e RTK-së, kështu që unë propozoj që atë mos ta hedhim fare në votim. Për shkak se nuk është miratuar nga ana e bordit, mbetet që bordi i ri të vendosë se çfarë do të bëjë me raportin e vitit të kaluar. Ndërsa sa i përket vendimit që ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore për sesionin pranveror, këtë vendim duhet ta marrim, në mënyrë që RTK të mos mbetet pa buxhet dhe të mos përsëritet situata e njëjtë që kishim vitin e kaluar”, ka thënë Haliti.

RTK kërkon faljen e kredisë prej 2.5 milionë eurosh

(Plotësuar, 10:35) Në raportimin para Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, ud. drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, bëri të ditur se përveç raportit gjashtëmujor për vitin e kaluar dhe projeksionit buxhetor për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, RTK-ja ka dorëzuar edhe një kërkesë të veçantë drejtuar Komisionit.

Sipas tij, përmes kësaj kërkese i është propozuar Komisionit që t’i rekomandojë qeverisë faljen e kredisë prej 2.5 milionë eurosh, e cila ishte marrë si zgjidhje emergjente për tejkalimin e krizës financiare.

“Arsyet janë të shumta dhe rasti i ‘Milionerit’ është arsyeja kryesore, për shkak se nëse me datën 20 mars ekzekutohet ky urdhër përmbarimor, atëherë RTK-ja do të rrezikohet më shumë se çdo herë tjetër”, ka thënë Hundozi para komisionit.

Lidhur me këtë kërkesë, kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, deklaroi se çështja do të shqyrtohet nga anëtarët e Komisionit dhe RTK do të njoftohet me kohë.

Hundozi: Nuk ka punëtorë të larguar nga RTK, ka skadim kontratash

I pyetur nga anëtarët e Komisionit për Buxhet lidhur me largimet nga puna në RTK, ud. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi tha se gjatë kohës sa ai është në këtë pozitë nuk është larguar asnjë punëtor nga puna. ”Rastet që i përmende kanë të bëjnë me dy punonjëse tona të cilave u ka skaduar kontrata e punës me afat të caktuar, kështu që nuk kemi të bëjmë me një  ndërprerje të marrëdhënies së punës, mirëpo me skadim të kontratës së punës”, tha Hundozi.

Ai paraqiti edhe një raport të Inspektoratit të Punës pas ankesës që ish-punëtorja e RTK-së e ka bërë atje. “Sipas këtij raporti zyrtar, RTK i ka respektuar të gjitha proceduat ligjore edhe rregullativën e vet të brendshme dhe nuk ka asnjë shkelje në këtë drejtim, andaj e udhëzon ankuesen që t’i drejtohet Gjykatës për çështje të tjera kontestimore”, shtoi Hundozi.

Hundozi: Viti 2025 ka qenë ndër më sfiduesit në historinë e RTK-së

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës është duke u paraqitur raporti i Radiotelevizioni i Kosovës për punën në periudhën korrik–dhjetor 2025 dhe janar–qershor 2026. Kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, ka theksuar se përfshirja e raportit të RTK-së në rend dite është bërë për shkak të urgjencës dhe rrethanave institucionale.

“Kërkesa ime si kryetar komisioni ka qenë që të përfshihen këto pika në rend të ditës dhe kemi ftuar RTK-në që të jenë prezentë, duke u bazuar në dinamikën që kemi si Kuvend i Republikës. Dihet që jemi para procesit të seancës për presidentin dhe askush nuk e di se si do të jetë epilogu i asaj seance. Kështu që nuk kam dashur të rrezikojmë që të mbetet RTK pa buxhet dhe të përsëritet situata e njëjtë sikurse vitin e kaluar, kur ne si komision s’kemi më të drejtë të mblidhemi nëse në rastin më të keq shpërndahet Kuvendi dhe nuk mund ta ftojmë RTK për raport dhe as nuk mund ta bëjmë ndarjen e buxhetit për RTK për gjashtëmujorin e parë. Kjo ka qenë urgjenca dhe më është dashur të presë deri ditën e hënë, derisa ligji i buxhetit është publikuar në Gazetën Zyrtare, prandaj nuk ka qenë e mundshme të ftohet më herët kjo mbledhje”, ka thënë Haliti.

Nënkryetari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, bëri të ditur se që nga java e dytë e dhjetorit 2024, Bordi nuk ka pasur së paku gjashtë anëtarë, që përbën kushtin ligjor për kuorum dhe për mbajtjen e mbledhjeve. Në këto rrethana, sipas tij, Bordi ka qenë në pamundësi objektive për të shqyrtuar, trajtuar dhe miratuar dokumente, përfshirë buxhetin e RTK-së.

U.d. drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, deklaroi se viti 2025 ka qenë një ndër vitet më sfiduese për RTK-në, për shkak të mosfunksionalitetit të Bordit dhe të themeluesit të saj, Kuvendit të Kosovës.

“Gjatë vitit të kaluar në aspektin financiar, ne jemi ballafaquar me dy periudha shumë të vështira, ku është rrezikuar edhe mospagesa e pagave të rregullta, gjë që është edhe hera e parë në historinë shumëvjeçare të RTK-së. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së Komisionit për buxhet që është i autorizuar që të bëjë alokimin e mjeteve. Si zgjidhje emergjente, ne, në atë kohë patëm kërkuar një kredi nga qeveria, e cila është aprovuar, në vlerë prej 2.5 milionë euro për të financuar një tremujor, duke filluar nga muaji korrik deri në muajin shtator. Mirëpo për shkak të mos mosfuksionalizimit të plotë të Kuvendit kriza është përsëritur edhe në muajin nëntor, kështu që edhe pagat e muajit tetor dhe nëntor janë dhënë me vonesë, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga ana e qeverisë nga fondi rezervë, ku është bërë një zgjidhje e përkohshme financiare”, ka thënë Hundozi.

Ai bëri të ditur se RTK-ja është përballur edhe me borxhe të trashëguara, presion nga përmbaruesit për shlyerjen e tyre, rritje të çmimeve nga operatorët ekonomikë, si dhe me implikimet buxhetore të rritjes së pagës minimale. Kjo ka kërkuar rishikim të kontratave të punës për punonjësit e RTK-së, si dhe të kontratave me operatorët që ofrojnë shërbime të sigurimit fizik dhe pastrimit.

Gazmend Rexhepi, zyrtar kryesor i financave në RTK paraqiti të dhënat e raportit financiar për gjashtëmujori n e dytë  për vitin 2025.

“RTK nga të hyrat e përgjithshme prej 7 milion e 689 mijë kemi filluar me një sallo fillestare prej 100 mijë. Të hyra nga Qeveria e Kosovës prej 7 milion e 20 mijë, ku nga këto 4 milionë e 448 mijë kemi të bëjmë me subvencion, ndërsa prej 2 milionë e 540 mijë kemi mbështetje financiare apo huazim me kthim në formë të huadhënies. Kemi pasur mbështetje financiare për organizimin e Festivalit të Këngës nga Ministria e  Kulturës, në vlerë prej 280 mijë euro si dhe nga burimet vetanake 289 mijë e 30 euro”, tha ai.

Sa i përket shpenzimeve, Rexhepi theksoi se shpenzime të përgjithshme për gjashtëmujorin e dytë janë 5 milionë e 157 mijë apo 128 mijë euro, ku nga këto 3 milionë e 834 mijë janë pagesa për personel apo paga.

“Kategoria e dytë kemi të bëjmë me mallra e shërbime 947 mijë e  118, ku vlen të theksohet se mbi 577 mijë euro kemi të bëjmë me një kontratë, e cila ka të bëjë me një operator siç është UEFA, për organizimin e lojërave të UEFA-s, të cilën e kemi si kontratë nga vitet paraprake si dhe shpenzimet komunale janë në vlerë 56 mijë e 715 euro, Festivali i Këngës ka kushtuar 309 mijë e 67 euro, si dhe shpenzime kapitale në formë donacion 9 mijë e 3 euro. Pra, një bilanc përfundimtar për vitin 2025 është 2 milionë e 532 mijë e 506 euro”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket projeksionit buxhetor për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Rexhepi tha se RTK ka të parapara 4 milionë e 480 mijë euro nga buxheti i Kosovës.

“Sa i përket planifikimit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke u mbështetur edhe në ligjin për ndarjet buxhetore të këtij viti, Radiotelevizioni i Kosovës, të hyra nga buxheti i Kosovës i ka të parapara 4 milionë e 480 mijë euro, të hyra nga burimet vetanake 610 mijë euro, të hyra nga donacionet janë 8 mijë e 750 euro. Të hyrat e përgjithshme për gjashtëmujorin e parë janë 5 milionë e 98 mijë e 750 euro, ndërsa sa i përket planifikimit të shpenzimeve për pagat e personelit janë 3 milionë e 786 mijë e 743 euro, apo nëse përkthehet në përqindje i bien 85% e buxhetit të ndarë nga Qeveria e Kosovës”, theksoi Rexhepi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram