Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deputetët e LV-së nuk do ta votojnë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.
Pas ndërprerjes së seancës, Nagavci tha se LV-ja ka tentuar të gjejë një marrëveshje me partitë e tjera parlamentare për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
Ajo bëri me dije se kryetari i LV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, për të diskutuar lidhur me votimin e nënkryetarëve por, sipas saj, kësaj ftese nuk i është përgjigjur PDK-ja.
Nagavci tha se kontakte janë zhvilluar edhe me LDK-në, ndërsa ajo personalisht është takuar me shefin e grupit parlamentar të kësaj partie për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.
“Ka qenë një tentativë për të arritur një marrëveshje politike, në mënyrë që të votohet në pako për të gjithë nënkryetarët, të konstituohet Kuvendi dhe të vazhdohet puna”, tha Nagavci.
Ajo theksoi se LV-ja është e gatshme ta votojë kandidatin e PDK-së dhe atë të LDK-së për nënkryetarë, por përjashtoi mundësinë e votimit të Vlora Çitakut.
“Lëvizja Vetëvendosje do të votojë një kandidat të PDK-së për nënkryetar, ashtu siç i takon, dhe natyrisht do të votojë një kandidat të LDK-së për nënkryetar. Por nuk mund të votojmë zonjën Çitaku”, deklaroi Nagavci.

