Qytetarë të shumtë nga rajone të ndryshme të Kosovës po mbërrijnë me autobusë te Pallati i Rinisë, duke marshuar drejt sheshit „Skënderbeu“, për t’iu bashkuar të tjerëve në „Marshin e Lirisë“.
Në mesin e protestuesve janë familjarë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, veteranë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, por edhe qytetarë të shumtë.
Me flamuj të Kosovës dhe të UÇK-së, pankarta dhe parulla në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, protestuesit kërkojnë drejtësi për të akuzuarit që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Protesta është paralajmëruar si një prej tubimeve më të mëdha në mbështetje të krerëve të UÇK-së që prej fillimit të procesit gjyqësor në Hagë.



