Wednesday, October 7, 2026
HomeLajmeKosovëMurati: Pas votimit të nënkryetarit të LDK-së, presim reflektim për presidentin

Murati: Pas votimit të nënkryetarit të LDK-së, presim reflektim për presidentin

Ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka deklaruar se LVV-ja kishte arritur marrëveshje me LDK-në për kandidatin për president, Bekim Sejdiu, ndërsa ka thënë se pas votimit të nënkryetarit të LDK-së pret reflektim nga deputetët e kësaj partie.

Murati tha se qëndrimi i LVV-së ka qenë i lidhur edhe me synimin për të siguruar zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai kujtoi se në legjislaturën e kaluar, sipas tij, Kuvendi dhe Qeveria ishin formuar shpejt, por procesi kishte dështuar te zgjedhja e presidentit, gjë që kishte çuar vendin në zgjedhje.

“Duke dashur ta evitojmë me çdo kusht shkuarjen përsëri në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar që të ketë një dakordim paraprak”, tha Murati.

Ai theksoi se LVV-ja kishte arritur një marrëveshje me LDK-në për kandidatin për president, profesor doktor Bekim Sejdiu, por shtoi se kishte rezerva nga deputetë të caktuar të LDK-së.

I pyetur nëse LDK-ja do ta mbështesë Bekim Sejdiun për president, Murati tha se LVV-ja pret reflektim nga deputetët e LDK-së pas votimit të kandidatit të tyre për nënkryetar.

“Pas hapit të sotëm nga ana jonë, që ta votojmë nënkryetarin e tyre, konsiderojmë që do të ketë reflektim edhe nga ana e deputetëve individualë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për president të vendit”, tha Murati.

Murati ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar me katër nga pesë nënkryetarët, ndërsa posti i nënkryetarit nga radhët e PDK-së ka mbetur i paplotësuar për shkak të mospjesëmarrjes së këtij grupi parlamentar në seancë.

Ai e ka kritikuar PDK-në për bojkotimin e seancës, duke thënë se kjo parti kishte kërkuar vazhdimisht konstituimin e Kuvendit, ndërsa në ditën kur ai u konstituua, vendosi të mos marrë pjesë.

“Me keqardhje mund ta them, sepse kemi parë që për sa e sa javë grupi parlamentar i PDK-së ka protestuar para Qeverisë dhe në forma të tjera ka kërkuar në vazhdimësi që të propozohet dhe të konstituohet Kuvendi. Ndërkaq, në ditën kur Kuvendi konstituohet, ata vendosin të refuzojnë përgjegjësinë e tyre dhe të bojkotojnë seancën konstituive”, tha Murati.

Sipas tij, Vetëvendosje vendosi të votojë kandidatët e partive të tjera për nënkryetarë, në mënyrë që të zhbllokohet procesi dhe vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.

“Ne vendosëm që të shkojmë tutje që të mos bllokohet procesi, pra që të kemi Kuvend të konstituuar dhe institucionet të zgjidhen”, u shpreh ai.

Sa i përket votimit të kandidates së Listës Serbe për nënkryetare të Kuvendit, Murati tha se LVV-ja kishte vepruar në përputhje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia dha Gjykata Kushtetuese, jo ne”, deklaroi Murati.

Ai tha se LVV-ja kishte votuar kundër kandidatëve të tjerë, ndërsa kandidaten e fundit e kishte votuar në mënyrë që të përmbushej kërkesa kushtetuese dhe të mundësohej konstituimi i Kuvendit.

“Ne nuk mund të bëhemi peng i konstituimit të Kuvendit për shkak të aktgjykimeve, qoftë edhe të gabuara që i vlerësojmë, të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Lidhur me faktin se njëri nga pesë nënkryetarët nuk u zgjodh, Murati tha se në rastin kur një grup parlamentar refuzon të propozojë kandidat, Kuvendi nuk mund të mbetet peng i kësaj situate.

“PDK-ja sot nuk ishte në sallë, madje edhe me shkrim kanë dërguar njoftim që tërhiqen përkohësisht nga kandidatura e tyre. Në rastet e tilla Kuvendi nuk mund të mbetet peng i konstituimit”, tha ai.

Murati bëri të ditur se LVV-ja është e gatshme që të votojë kandidatin e PDK-së nëse kjo parti kthehet në seancë dhe e propozon atë.

Në fund, ai tha se seanca për formimin e Qeverisë duhet të thirret shumë shpejt, por theksoi se prioritet mbetet edhe zgjedhja e presidentit.

“Vendi herën e kaluar ka shkuar në zgjedhje për shkak se nuk kishim president, jo për shkak se s’kishim Qeveri. Qeveria ishte votuar, siç e dini, në afat rekord, problemi ishte te presidenti”, theksoi Murati.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram