Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe të kontribuojnë që procesi i zgjedhjes së presidentit të përmbyllet me sukses.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar pas votimeve të zhvilluara sot.
Ajo ka theksuar se, pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, zgjedhja e presidentit mbetet hapi i fundit për kompletimin e institucioneve të vendit.
“Pres që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që ky proces të përmbyllet me sukses”, ka shkruar Haxhiu, duke nënvizuar nevojën që Kosova të ketë institucione të forta, funksionale dhe stabile, pa vonesa të tjera.

