Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas denoncimit të gazetarit dhe veprimtarit Osman Stafa, i cili ka kallëzuar pranë Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit një mesazh me përmbajtje kërcënuese të marrë në adresën e tij personale në rrjetin social Facebook.
Në deklaratën e publikuar këtë të hënë, UGSH kërkon që rasti të hetohet me seriozitet, profesionalizëm dhe urgjencë, ndërsa autorët e kërcënimit, nëse identifikohen, të përballen me përgjegjësinë ligjore.
Sipas Unionit, në kallëzimin zyrtar të depozituar në organet kompetente, gazetari Stafa ka specifikuar përmbajtjen e mesazhit të konsideruar kërcënues. Vetë gazetari dyshon se kërcënimi mund të ketë lidhje me një material filmik të realizuar dhe publikuar prej tij gjatë një proteste.
Në materialin në fjalë, Stafa ka dokumentuar veprimet e disa personave civilë gjatë ndalimit dhe arrestimit të një protestuesi. Gazetari ka qenë pjesëmarrës në mënyrë të vazhdueshme në protestat e zhvilluara në Tiranë, në cilësinë e gazetarit, por edhe të veprimtarit.
UGSH thekson se nuk bëhet fjalë për rastin e parë kur gazetari Osman Stafa përballet me episode tensioni apo përplasje me individë dhe grupe agresive.
“Rasti i fundit i mesazhit kërcënues duhet zbardhur me urgjencë dhe personat përgjegjës duhet të përballen me ligjin”, shprehet Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke kërkuar nga organet ligjzbatuese që ndaj rasteve të tilla të veprojnë në kohë dhe me profesionalizëm.
Në reagimin e tij, UGSH ngre gjithashtu shqetësimin për klimën në të cilën po zhvillohet veprimtaria e gazetarëve gjatë periudhës së protestave të zgjatura në Tiranë. Sipas Unionit, gjatë këtyre muajve janë shtuar përballjet verbale të gazetarëve me persona të ndryshëm, ndërsa në hapësirën virtuale është evidentuar një klimë e rënduar etike, e shoqëruar me stigmatizime dhe sulme ndaj gazetarëve aktivë.
UGSH: Gazetarët duhet të ruajnë parimet e etikës profesionale
Në të njëjtën kohë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u drejtohet edhe gazetarëve dhe mediave me një apel për ruajtjen e standardeve profesionale në një periudhë të karakterizuar, sipas tij, nga krizë politike, probleme të akumuluara të administrimit, ndasi politike, klimë të ashpër fushate dhe lëvizje të forta shoqërore.
UGSH vlerëson se pikërisht në rrethana të tilla gazetari duhet të respektojë statusin e tij profesional dhe parimet deontologjike të profesionit.
Unioni shpreh shqetësimin për raste kur aktivizmi i individëve brenda komunitetit profesional, përfshirë edhe aktivizmin politik në momente të caktuara, mund të cenojë paanshmërinë, balancën dhe parimet themelore të gazetarisë.
Sipas UGSH-së, kjo nuk duhet të zbehë aspak forcën dhe kurajën e gazetarit në përballjen me problematikat e shoqërisë.
“Këmbëngulja, forca dhe kurajua raportuese, investigimi dhe ndjekja pa pengesë e të vërtetave që lidhen me korrupsionin, keqqeverisjen, kriminalitetin dhe botën e përvetësimeve financiare janë tiparet e gazetarëve profesionistë”, përfundon deklarata e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
UGSH kërkon që liria e medias, siguria e gazetarëve dhe e drejta për informim të mbrohen përmes institucioneve dhe mekanizmave ligjorë, ndërsa çdo kërcënim ndaj gazetarëve të trajtohet me seriozitet dhe të mos mbetet pa përgjigje institucionale.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

