Viti 1999 shënoi fundin e Serbisë në Kosovë, por prapa mbetën gjurmët e një lufte të përgjakshme, mijëra viktima, të zhdukur, shtëpi të djegura dhe qindra mijëra njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre, për të cilat krime shteti serb përgjegjësi nuk mori kurrë.
Por për Beogradin, lufta nuk përfundoi me tërheqjen e forcave ushtarake e policore më 1999. Ajo thjesht ndryshoi formë. Lufta e tyre u zhvendos në diplomaci, në propagandë dhe mbi të gjitha në betejën për kontrollin e narrativës.
Synimi ishte i qartë, përmes propagandës ta paraqisnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë kriminale.
Kjo betejë nuk u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Për vite me radhë, zyrtarët më të lartë serbë kanë folur publikisht për kërkimin, përzgjedhjen, sistemimin dhe dorëzimin e materialeve kundër UÇK-së.
Deklaratat e tyre kanë formuar një zinxhir të dokumentuar të ndërhyrjes së shtetit serb në ndërtimin e dosjeve që përfunduan në Hagë.
Në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti edhe materiale të deponuara nga institucionet e Serbisë.
Këto materiale janë përdorur në kuadër të çështjes së ngritur nga Prokuroria, e cila në aktakuzë i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe pretendimin për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Bëhet fjalë për dokumente që vijnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, policia, Sigurimi Shtetëror, strukturat ushtarake dhe organe të tjera të Beogradit, pra nga i njëjti aparat shtetëror që kryen krime në Kosovë.
Institucionet e Kosovës e kundërshtuan fuqishëm këtë fakt, duke e quajtur zhvillim të papranueshëm pranimin e dokumenteve të Serbisë nga Specialja në cilësinë e provave materiale.
Sipas një analize të publikuar nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, mbrojtja kishte pretenduar se në platformën e administrimit të provave kishte identifikuar të paktën 2.356 dokumente që buronin nga Serbia ose organet e saj.
Ky ishte numër periferik, por një masë dokumentesh që prekte vetë themelin mbi të cilin u ndërtua një pjesë e çështjes së Prokurorisë.
Më 12 korrik 2022, katër ekipet mbrojtëse paraqitën së bashku mocionin F00877, versioni i korrigjuar publik i të cilit u dorëzua më 21 korrik. Me këtë mocion kërkohej zbulimi i materialeve që buronin nga Serbia, prejardhja e tyre dhe informacionet për marrëdhënien e ZPS-së me institucionet serbe.
Në parashtresat e tyre, ekipet mbrojtëse e përshkruan Serbinë si burim të njëanshëm, me histori të dokumentuar të fabrikimit të provave. Ato kërkuan të dinin kush i kishte krijuar dokumentet, kush i kishte sekuestruar, ku ishin ruajtur, nëse ekzistonin origjinalet dhe nëse mund të rindërtohej çdo hallkë e zinxhirit të ruajtjes. (Mocioni dhe parashtresat pasuese)
Dyshimet nuk mbetën vetëm në dokumentet paraprake. Gjatë seancave të 19, 20 dhe 25 marsit 2024, paneli trajtoi një fletore të shkruar me dorë dhe një dokument të shtypur me shënime të shtuara. Ato u paraqitën si materiale të inteligjencës dhe kundërzbulimit të UÇK-së, të sekuestruara nga autoritetet serbe dhe të transmetuara më vonë përmes Tribunalit të Hagës ose Mekanizmit të tij.
Mbrojtja kundërshtoi se dokumentet paraqiteshin në një zbrazëti provuese, pa autor të identifikuar dhe pa zinxhir të plotë ruajtjeje. Megjithatë, paneli i konsideroi ato autentike në vlerësimin fillestar.
Ky kundërshtim buron nga një histori e provuar gjyqësisht e manipulimit të vendeve të krimit dhe e fshehjes së provave për krimet që i bëri.
Më 23 shkurt 2011, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e shpalli fajtor Vlastimir Gjorgjeviqin, ish-ndihmësministër të Punëve të Brendshme dhe drejtues të Sigurisë Publike të Serbisë.
Gjykata konstatoi se ai kishte rol udhëheqës në operacionin e koordinuar për transportimin dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Vetëm në kompleksin policor të Batajnicës u zhvarrosën mbetjet e 744 personave. Në Petrovo Selo u gjetën 61 dhe pranë Liqenit Peruçac 84 të tjerë. Tribunali konstatoi se trupat ishin transportuar nga Kosova dhe ishin varrosur fshehurazi në prona të kontrolluara nga Ministria e Punëve të Brendshme, si pjesë e një operacioni për largimin e provave të krimeve të forcave serbe.
Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, të fshehur në varreza masive në territorin e Serbisë. Sipas këtij dokumentimi, operacioni për fshehjen e kufomave ishte planifikuar në nivelet më të larta dhe përfshinte struktura civile, policore, ushtarake dhe ndërmarrje shtetërore.
Më 23 korrik 2018, Veljko Odaloviq, atëherë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Serbisë dhe anëtar i grupit shtetëror për hetimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së, e përshkroi publikisht mënyrën e përgatitjes së dosjeve.
Ai deklaroi se grupi kishte kontrolluar arkivat, kishte punuar me personat që posedonin informata dhe kishte përgatitur dokumente që do të viheshin në funksion të dëshmimit të krimeve të pretenduara.
Odaloviq tha gjithashtu se ishin analizuar zonat operative të Dukagjinit dhe Drenicës dhe se ishte ndërtuar lidhja ndërmjet strukturës komanduese të UÇK-së, individëve dhe krimeve të pretenduara.
Kjo deklaratë ishte vendimtare. Serbia nuk po dorëzonte thjesht një arkiv të paprekur. Institucionet e saj po kërkonin, po përzgjidhnin, po sistemonin dhe po përgatisnin materiale për një rezultat të përcaktuar paraprakisht.
Më 11 janar 2019, ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviq, deklaroi se Serbia ishte e gatshme t’ia dorëzonte gjykatës të gjitha provat dhe t’u siguronte mbrojtje dëshmitarëve.
Vetëm pesë muaj më vonë, më 14 qershor 2019, ajo dha një konfirmim edhe më të drejtpërdrejtë: Prokurori i ri i Specializuar kishte kërkuar dokumente nga Beogradi dhe ato po i dërgoheshin përmes Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Më 16 dhjetor 2019, Ivica Daçiq, atëherë ministër i Jashtëm i Serbisë, shef i diplomacisë serbe dhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, deklaroi se ishte i gatshëm të shkonte në Hagë si dëshmitar kundër UÇK-së. “Kam tonelata materialesh”, deklaroi ai.
Daçiq nuk fliste si një dëshmitar neutral. Ai fliste si përfaqësues i një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe si drejtues i partisë që kishte qenë në pushtet gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Hagën, Daçiq, e shihte si arenë ku Serbia mund ta vazhdonte betejën e saj kundër UÇK-së. (Deklarata e Daçiqit, 16 dhjetor 2019)
Më 11 prill 2022, Vladimir Vukçeviq, ish-prokurori i parë serb për krime lufte, pranoi publikisht se pretendimet e Dick Martyt ishin ndërtuar mbi punën e Prokurorisë serbe.
Ky pranim ishte thelbësor për të kuptuar prejardhjen e narrativës që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara.
Pranimi më i drejtpërdrejtë erdhi më 3 prill 2023, pikërisht ditën kur filloi gjykimi në Hagë.
Milovan Drecun, atëherë kryetar i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë dhe drejtues i grupit punues për mbledhjen e materialeve kundër UÇK-së, deklaroi për televizionin shtetëror serb se ishin mbledhur mbi 30 mijë dokumente dhe qindra dëshmi.
Ai pranoi se grupi që kishte formuar, kishte punuar gjashtë vjet në mbledhjen e materialeve.
Por, deklarata më e rëndë ishte ajo për lidhjen ndërmjet punës së Beogradit dhe tezës qendrore të Prokurorisë.
Sipas Drecunit, Prokuroria kishte pasur vështirësi ta paraqiste UÇK-në si organizatë të strukturuar fort dhe në mënyrë hierarkike. Ai tha se pala serbe i kishte dorëzuar materialet që forcat e saj pretendonin se i kishin sekuestruar gjatë luftës dhe që mund të përdoreshin për ta dëshmuar atë hierarki.
Drecun e përshkroi këtë si “kontribut vendimtar” të palës serbe.
Ai deklaroi gjithashtu se grupi kishte identifikuar 159 vende të pretenduara ndalimi, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar materiale për më shumë se 40 prej tyre.
Kjo deklaratë e rrëzon pretendimin se Serbia ishte vetëm një arkiv pasiv.
Drecun pranoi se Beogradi kishte punuar për të plotësuar një boshllëk në tezën e Prokurorisë: lidhjen ndërmjet drejtuesve politikë të UÇK-së, strukturës komanduese dhe njësive në terren.
Më 23 korrik 2018, Veljko Odaloviq pranoi se grupi serb kishte kontrolluar arkivat, kishte punuar me burimet dhe kishte përgatitur dokumentet.
Më 11 janar dhe 14 qershor 2019, ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviq, konfirmoi gatishmërinë për dorëzimin e provave dhe ekzistencën e kanalit të transferimit përmes Delegacionit të BE-së.
Më 11 prill 2022, ish-prokurori Vladimir Vukçeviq pranoi se Dick Marty kishte punuar mbi materialet dhe gjetjet e Prokurorisë serbe.
Më 3 prill 2023, Milovan Drecun deklaroi se grupi i tij kishte punuar gjashtë vjet, kishte mbledhur mbi 30 mijë dokumente dhe se Serbia kishte dhënë “kontribut vendimtar” në ndërtimin e pretendimit për hierarkinë e UÇK-së.
Ky ishte një operacion i vazhdueshëm shtetëror. Arkivat u kontrolluan. Burimet u përzgjodhën. Dokumentet u sistemuan. Dëshmitarët u identifikuan.
Materialet u transferuan. Tezat u promovuan politikisht. Më pas, një pjesë e tyre hyri në procesin gjyqësor ndaj krerëve te Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës!

