Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Veteranët thonë se e hedhin poshtë kategorikisht dënimin, duke theksuar se aktgjykimi, sipas tyre, godet luftën çlirimtare të UÇK-së dhe lëndon familjet që dhanë bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës.
“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale. Ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës, e vetmja përgjigje që i kishte mbetur një kombi të dënuar me zhdukje”, thuhet në reagim.
Sipas veteranëve, sakrifica e UÇK-së ndërtoi shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Asnjë institucion, kudo qoftë, nuk ka autoritetin moral ta nxjerrë në gjyq këtë të vërtetë”, thuhet në reagim.
Veteranët theksojnë se asnjë vendim, sipas tyre, nuk mund ta rishkruajë luftën çlirimtare apo të njollosë ata që luftuan për liri.
“E vërteta e UÇK-së nuk është çështje interpretimi gjyqësor, është historia e jetuar e një populli që e fitoi shtetin me gjak”, thuhet më tej.
Në reagim thuhet se veteranët që në fillim e kanë cilësuar si politike Gjykatën Speciale dhe se, sipas tyre, procesi u ka dhënë të drejtë.
“Është turp për drejtësinë ndërkombëtare, një njollë që do të mbetet gjatë dhe që tregon se si është trajtuar lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e popullit tonë”, përfundon reagimi i veteranëve.

