Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin nga Franca në Kosovë të një personi të kërkuar ndërkombëtarisht, i cili ishte dënuar me katër vjet burgim për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Policisë, ekstradimi është realizuar më 17 shtator 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Personi ishte në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për shkak të dënimit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, të përcaktuar në nenin 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I dënuari ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i shoqëruar nga zyrtarët e ILECU-t.
Pas mbërritjes, zyrtarët policorë e kanë dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku është dorëzuar për vuajtjen e dënimit prej katër vjetësh burgim.

