Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka vizituar sot familjet e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Hamza e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale si “të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar”.
“Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë.Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë.Jemi krenarë për ta, për luftën tonë për liri dhe për gjithçka që ata përfaqësojnë në historinë dhe shtetin tone”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Kreu i PDK-së tha se do të vazhdojnë angazhimin për betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë.

