Drejtoria e Shëndetësisë e Kryeqytetit ka dënuar sulmin fizik ndaj një infermiereje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e cila u sulmua gjatë ushtrimit të detyrës në lagjen Kalabria.
Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë, infermierja ishte duke ofruar shërbim shëndetësor në shtëpinë e një pacienti kur është sulmuar fizikisht.
“E dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj punonjëses sonë shëndetësore. Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e Drejtorisë.
Nga kjo drejtori kanë theksuar se siguria dhe dinjiteti i punonjësve shëndetësorë janë të panegociueshme.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, sipas Drejtorisë së Shëndetësisë, po trajtohet nga organet kompetente.
Drejtoria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se sulmi nuk do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në terren.
“Shërbimet në terren do të vazhdojnë normalisht, pa ndërprerje dhe me të njëjtin përkushtim ndaj çdo qytetari që ka nevojë për kujdes”, thuhet në reagim.

