Tuesday, September 29, 2026
HomeLajmeKosovëOVL-UÇK kërkon procedimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara

OVL-UÇK kërkon procedimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të procedojë sa më shpejt projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një konferencë për media, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, tha se vota e 89 deputetëve në Kuvendin e Kosovës përbën, shprehje të vullnetit politik për mbështetjen e katër krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Dje, 89 deputetë të Kuvendit të Kosovës, me votën e tyre, u bashkuan në mbrojtje të luftës së UÇK-së, në mbështetje me mjete juridike, politike, institucionale dhe financiare që ka në dispozicion shteti ynë për katër krerët e UÇK-së”, deklaroi Syla.

Ai kërkoi që pas votimit në Kuvend, Qeveria ta procedojë projektligjin pa vonesa.

“Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre, e dëshmuan vullnetin politik me votë. Qeveria duhet ta procedojë sa më parë projektligjin, në mënyrë që ai të vijë menjëherë në Kuvend për votim. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të zvarritet”, tha Syla.

Sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për mbështetjen e personave që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete”, u shpreh ai.

Syla foli edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, duke thënë se përgjegjësia për mosprocedimin e projektligjit duhet të jetë e qartë.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për ta votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme”, tha ai.

Në konferencë, OVL-UÇK njoftoi edhe për përgatitjet për marshin e paralajmëruar për 1 tetor në Prishtinë. Sipas Sylës, marshi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 16:00.

“Organizata e Veteranëve të Luftës, së bashku me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve dhe atë të Invalidëve, i ka bërë të gjitha përgatitjet për marshin e datës 1 Tetor, i cili do të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, në orën 16:00”, deklaroi Syla.

Ai u bëri thirrje veteranëve, kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarëve që t’i bashkohen marshit.

“U bëjmë thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, por edhe gjithë qytetarëve që ndjejnë se kjo padrejtësi e datës 16 shtator ka cenuar luftën tonë të drejtë dhe shtetësinë e Kosovës, që më 1 tetor të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’”, tha Syla.

Syla ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe ndryshimet ligjore nuk procedohen, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta nuk do të qëndrojnë duarkryq, por do të ndërmarrin hapa të tjerë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram