Tuesday, September 29, 2026
HomeLajmeKosovëHargreaves: Dënimet e fundit nuk janë gjykim ndaj shtetësisë së Kosovës

Hargreaves: Dënimet e fundit nuk janë gjykim ndaj shtetësisë së Kosovës

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar mbetet krenare për rolin e saj në Kosovë dhe e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se dënimet e fundit nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë apo sovranitetit të Kosovës.

Hargreaves ka kujtuar se në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin në Han të Elezit si pjesë e misionit të NATO-s, të autorizuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndalur spastrimin etnik dhe dhunën ndaj popullsisë civile në Kosovë.

“Politikat katastrofike të Sllobodan Millosheviçit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar mirë në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit”, ka shkruar Hargreaves.

Ambasadori britanik ka thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, kishte shprehur vazhdimisht shqetësim të thellë për situatën e rëndë humanitare, ndërsa Milosheviçi, sipas tij, refuzoi të gjitha përpjekjet për paqe, duke çuar në fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe në veprimin e NATO-s në Kosovë.

Hargreaves ka theksuar se Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizatave që ishin qendrore në luftën e saj për çlirim.

“Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbrojtur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për rajonin në tërësi”, ka shkruar ambasadori britanik.

Duke folur për dënimet e fundit, Hargreaves ka thënë se ato kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme.

“Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë së Kosovës, sovranitetit të saj apo të drejtës për të përcaktuar të ardhmen e vet, të cilat Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbrojë fuqishëm. Personat e dënuar kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve të tyre”, ka deklaruar Hargreaves.

Ambasadori britanik ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në të gjithë rajonin dhe ndërkombëtarisht, në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet”, ka shkruar Hargreaves. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram