rtsh
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu kënaqësinë për rikthimin e saj në Tiranë, duke vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e standardeve evropiane.
Për sa i përket ecurisë në procesin e negociatave dhe dobisë reciproke të këtij procesi, kreu i Komisionit Evropian deklaroi:
“Ju dhe Shqipëria keni punuar fort për ta plotësuar standardin evropian. Shqipëria sërish ka bërë ecuri fantastike, keni hapur grupkapitujt e fundit, në korrik keni mbyllur 3 kapitujt e parë. I siguroj shqiptarët, anëtarësimi nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në më të fortë.”
Përveç arritjeve të deritanishme, von der Leyen nënvizoi se rruga drejt anëtarësimit kërkon vijimësi në zbatimin e reformave thelbësore në të gjithë kapitujt e hapur, përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe të pasurive natyrore të vendit. Sipas saj, realizimi i ndryshimeve të qëndrueshme kërkon bashkëpunim që kapërcen kufijtë politikë traditionalë.
“Kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike e dialog me shoqërinë për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të saj.”, tha von der Leyen.
Një vend të rëndësishëm në fjalën e Presidentes së Komisionit Evropian zuri edhe mbështetja e Bashkimit Evropian pas tërmetit të vitit 2019, përmes programeve të rindërtimit të infrastrukturës arsimore në Shqipëri.
Lidhur me këtë bashkëpunim dhe vizitën e parashikuar në terren, von der Leyen u shpreh:
“Këta udhërrëfyes do e shndërrojnë rrugën drejt anëtarësimit në hapa konkretë. I dashur Edi, nesër në mëngjes do të kemi kënaqësinë që të vizitojmë shkollën Emin Duraku. Në vitin 2019 kur Shqipëria u godit nga tërmeti dhe i mbaj mend ato ditë të tmerrshme, ne thamë që Europa do të qëndrojë krah jush. Dhe ne qëndruam krah jush. Programi BE për shkollat është një program që vërtetë më pëlqen shumë. Me anën e këtij programi u rindërtuan apo rikonstruktuan 63 shkolla, mes të cilave edhe Emin Duraku. Me shumë kënaqësi pres vizitën nesër.”
Progresi me planin e rritjes dhe anëtarësimi në SEPA
Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, Presidentja e KE-së bëri të ditur se Shqipëria po ecën me ritme të larta në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, duke realizuar 80% të reformave të parashikuara.
Në lidhje me financimet e përfituara dhe lehtësitë e reja për qytetarët, ajo deklaroi:
“Ju ndërmerrni reforma që kompanitë tuaja të jenë konkurruese në tregjet tona të përbashkëta dhe ekonomia juaj integrohet gradualisht. Shqipëria po ecën mirë sa i përket Planit të Rritjes. Keni përmbushur 80% të reformave, keni marrë 213 milionë euro fonde dhe në javët në vijim priten pagesa të tjera. Ne kemi arritur rezultate të mira. Ju jeni bërë pjesë e SEPA-s. Po punojmë për uljen e tarifave roaming. Është një mundësi e mirë që njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin.”

