Thursday, October 1, 2026
HomeLajmeKosovëUP: Lufta e Kosovës duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve

UP: Lufta e Kosovës duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve

Senati i Universitetit të Prishtinës ka publikuar një deklaratë lidhur me luftën çlirimtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë së pavarur, të paanshme dhe të mbështetur në prova, si dhe nevojën që historia e luftës të trajtohet në kontekstin e saj politik, shoqëror dhe humanitar.

Në deklaratë, Universiteti i Prishtinës shprehet se “drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme, objektive dhe e mbështetur në prova, standarde të së drejtës dhe parimet themelore të procesit të rregullt gjyqësor”.

Universiteti thekson gjithashtu se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime kolektive.

Sa i përket luftës së Kosovës, Senati vlerëson se ajo nuk mund të shkëputet nga rrethanat në të cilat u zhvillua. Sipas deklaratës, “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna.”

Në deklaratë përmendet edhe konteksti i dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara, sipas Universitetit, me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare.

“Këto zhvillime përbëjnë pjesë të dokumentuara të historisë së Kosovës dhe të kontekstit, në të cilin duhet të kuptohet lufta e saj për liri”, thuhet në deklaratë.

Universiteti i Prishtinës i referohet edhe ndërhyrjes së NATO-s, duke theksuar se ajo duhet të kuptohet “në kontekstin e krizës humanitare, të dhunës së përhapur, të dëbimeve të popullsisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj.”

Një pjesë e veçantë e deklaratës i kushtohet opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010. Universiteti thekson se në atë opinion Gjykata arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Senati i Universitetit të Prishtinës nënvizon se e vërteta historike duhet të kërkohet përmes dokumenteve, dëshmive, kërkimit shkencor dhe debatit të hapur akademik.

“E vërteta për luftën e Kosovës nuk duhet të ndërtohet mbi mohimin, relativizimin apo instrumentalizimin politik të historisë, por mbi shqyrtimin kritik dhe të përgjegjshëm të fakteve”, thuhet në deklaratë.

Universiteti shprehet i gatshëm të kontribuojë me kapacitetet e tij akademike, shkencore dhe institucionale në dokumentimin dhe studimin e luftës së Kosovës, përfshirë dëbimin dhe dhunën sistematike ndaj popullsisë civile, përvojën e viktimave dhe të të zhvendosurve, si dhe proceset që, sipas deklaratës, çuan drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Ky angazhim, sipas Universitetit, përbën “një detyrim ndaj së vërtetës, ndaj viktimave dhe brezave që e përjetuan luftën, por edhe ndaj brezave të rinj që kanë të drejtë ta njohin historinë e vendit të tyre mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe standardeve akademike.”

Universiteti i Prishtinës deklaron se do të vazhdojë të mbrojë lirinë akademike, kërkimin shkencor dhe të drejtën për studimin e historisë së Kosovës pa frikë, presion apo ndërhyrje politike.

Universiteti thekson se mbetet i gatshëm të vërë në dispozicion ekspertizën dhe kapacitetet e tij akademike për përpjekjet që synojnë dokumentimin dhe ndriçimin e së vërtetës historike për luftën e Kosovës, rrugën drejt lirisë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram