Biljana Plavshiq një ish-anëtare e udhëheqjes së luftës së Republika Srpska e cila u dënua për krime lufte, vdiq në moshën 96 vjeç në Beograd.
Para Tribunalit të Hagës, ajo u deklarua fajtore për përndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare dhe u dënua me 11 vjet burg në vitin 2003.
Mori pjesë në persekutimin e boshnjakëve, kroatëve të Bosnjës dhe popullsisë tjetër jo-serbe në 37 komuna.
Ajo mbështeti fushatën e ndarjes etnike që rezultoi në vdekjen e mijëra civilëve dhe dëbimin e mijëra njerëzve nga komunat në Bosnjë dhe Hercegovinë në kushte shumë brutale, duke u bërë thirrje forcave paraushtarake nga Serbia të ndihmonin forcat serbe të Bosnjës në arritjen e qëllimit të ndarjes së grupeve etnike përmes përdorimit të forcës.
Ajo u lirua në vitin 2009 pasi vuajti një pjesë të dënimit të saj.
Në deklaratën e saj rrëfyese, ajo tha se pranoi përgjegjësinë pasi, siç deklaroi, e bindi veten se mijëra njerëz të pafajshëm ishin viktima të largimit të organizuar dhe sistematik të boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret që serbët e Bosnjës i konsideronin të tyret.
Në elitën politike gjatë luftës, ajo punoi së bashku me udhëheqës të tjerë të kohës, ndër të cilët ishin kriminelët e dënuar të luftës Radovan Karadžić dhe Momčilo Krajišnik.
Gjatë karrierës së saj politike, ajo mbajti postet e anëtares së Presidencës së RS BiH (1990-1992), presidentes së përkohshme të Republikës Serbe në BiH (1992), nënkryetares së Republikës Srpska (1992-1996), presidentes së Republikës Srpska (1996-1998). Në vitin 1997, ajo themeloi partinë Aleanca Kombëtare Serbe (SNS).

