Saturday, October 3, 2026
HomeLajmeKosovëVon der Leyen: Stabiliteti institucional, themel i përparimit drejt BE-së

Von der Leyen: Stabiliteti institucional, themel i përparimit drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm politik, duke bërë thirrje për stabilitet institucional dhe vazhdim të dialogut ndërmjet partive politike.

Në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, von der Leyen ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke theksuar se vendimi lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar.

“Aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë që të apelojë, por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, ka thënë von der Leyen.

Ajo ka bërë thirrje për respektimin e kujtesës së të gjitha viktimave dhe për ecjen përpara drejt pajtimit.

Von der Leyen: Hapi i radhës është zgjedhja e Presidentit

Duke folur për situatën politike në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian ka vlerësuar se krijimi i Kuvendit dhe Qeverisë është një zhvillim pozitiv, ndërsa si hap të radhës ka veçuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes”, ka deklaruar ajo.

Von der Leyen ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, duke thënë se stabiliteti institucional është i domosdoshëm për reformat dhe zhvillimin ekonomik.

“Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparim në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, ka thënë ajo.

Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro

Presidentja e Komisionit Evropian ka përsëritur mbështetjen e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës, duke e lidhur atë me zbatimin e reformave.

Ajo ka bërë të ditur se Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.

“Plani i Rritjes mund t’ju çojë më afër drejt tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, ka deklaruar von der Leyen.

Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të avancojnë me reformat dhe të sigurojnë funksionalitet të plotë institucional.

Von der Leyen ka përmendur edhe procesin e roaming-ut dhe anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në SEPA si dy fusha ku pret progres të mëtejshëm.

“Tani keni kryenegociatorin e emëruar dhe shpresojmë që negociatat të fillojnë”, ka thënë ajo për roaming-un.

Ndërkaq, për SEPA-n, ajo ka deklaruar se miratimi i legjislacionit përkatës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro.

Sipas saj, SEPA ka potencial t’u kursejë kompanive të Ballkanit Perëndimor deri në 500 milionë euro në vit.

Von der Leyen: Kosova duhet ta ruajë karakterin multietnik

Presidentja e Komisionit Evropian ka folur edhe për raportet ndërmjet komuniteteve në Kosovë, duke theksuar nevojën për ndërtimin e besimit me komunitetin serb.

“E ardhmja evropiane e Kosovës varet nga shoqëria që e ndërton. Kosova duhet të ruajë karakterin multietnik, të ndërtojë besimin me komunitetin serb”, ka deklaruar ajo.

Von der Leyen ka përmendur edhe disa hapa të ndërmarrë gjatë këtij viti, përfshirë marrëveshjen e 14 marsit dhe marrëveshjen për personat e pagjetur.

Gjatë vizitës në Kosovë, von der Leyen pritet të vizitojë edhe Universitetin e Prishtinës, ku do të takohet me studentë dhe do të shohë hapësirat e ndërtuara me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka përfunduar von der Leyen.

Von der Leyen për ndryshimet në ligjin për Specialen: Kosova vendos, por duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pyetur për qëndrimin e saj lidhur me nismën e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Von der Leyen ka thënë se vendimi për ndryshimin e kornizës ligjore i takon Kosovës, por ka theksuar se çdo veprim duhet të garantojë pavarësinë e gjyqësorit.

“Për sa i përket kornizës ligjore, ndryshimit, i përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit”, ka deklaruar von der Leyen.

Ajo ka shtuar se, në kuadër të kësaj pavarësie, është në kompetencë të Kosovës të përcaktojë se çfarë ndryshimesh janë të nevojshme.

“I përket Kosovës që të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet ose jo, por është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”, ka theksuar presidentja e Komisionit Evropian.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram