Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se subjekti i tij politik vlerëson se çështja e zgjedhjes së presidentit nga populli është një temë shumë e rëndësishme kushtetuese dhe për të duhet një trajtim serioz, e jo me nguti.
“Është një temë që meriton trajtim serioz institucional dhe politik. Po a është ky trajtim serioz, unë e them aspak. Qysh mundemi me thanë trajtim serioz në këtë rast, kur edhe propozuesja e këtyre amendamenteve në orët e fundit të mandatit të saj i gjen disa amendamenteve të trajtuar për para 15 viteve. Më vjen keq që edhe Kuvendi po hyn në këtë valle të trajtimit të aktit më të lartë të vendit, Kushtetutës së Kosovës, amendamentimit të Kushtetutës në një mënyrë joserioze”, ka thënë Hamza.
Ai tha se seanca për një çështje kaq të rëndësishme është thirrur në 7:45 dhe materialet deputetëve ju kanë ardhur në orën 8:30.
“Si munden deputetët e Kuvendit për një temë kaq të rëndësishme për aktin më të lartë juridik të vendit të flasin pa i pranuar dokumentet. Në parim PDK ka qenë, është edhe sot, e do të jetë edhe në të ardhmen që presidenti të zgjidhet direkt nga populli. Mirëpo, kjo don një trajtim serioz dhe kjo domosdoshmërish duhet të jetë e vendosur brenda kuadratit ligjor”, shtoi Hamza.
Sipas tij nuk është respektuar rregullorja e punës së Kuvendit, nuk është në përputhje me atë çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara.
“Prandaj ne konsiderojmë kjo do një diskutim më të gjerë, një koncensus më të gjerë, edhe politik edhe me subjektet politike dhe gjithë tjerëve, që në të ardhmen të starton në mënyrë të rregullt diskutimi për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, e posaçërisht për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së Kosovës drejtpërdrejt me votën e qytetarëve”, tha kreu i PDK-së.

