Saturday, October 3, 2026
HomeLajmeGreqia i dorëzoi Bullgarisë eshtrat e carit bullgar Samuill

Greqia i dorëzoi Bullgarisë eshtrat e carit bullgar Samuill

Bullgarët pritën mbetjet mortore të një prej sundimtarëve më të njohur të Bullgarisë Mesjetare, carit Samuil. Më shumë se një mijë vjet pas vdekjes së tij në Prespë, eshtrat iu dorëzuan shtetit bullgar gjatë një ceremonie zyrtare në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik. Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dhe kryeministrit të Bullgarisë, Rumen Radev. Së bashku me eshtrat e carit Samuil u dorëzuan edhe mbetje njerëzore të zbuluara në dy sarkofagë të tjerë në bazilikën në ishullin e Shën Ahilit. Sipas vlerësimeve, ato i përkasin carit Gavril-Radomir dhe anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore. Procesverbalet e dorëzim-pranimit të eshtrave u nënshkruan nga ministri bullgar i kulturës, Evtim Milloshev, dhe homologja e tij greke, Lina Mendoni, në prani të kryeministrave të Bullgarisë dhe Greqisë.

Ministrat e kulturës të Bullgarisë dhe Greqisë, Evtim Milloshev dhe Lina Mendoni

Ministrat e kulturës të Bullgarisë dhe Greqisë, Evtim Milloshev dhe Lina Mendoni

FOTO: BTA

Marrëveshja historike për kthimin e mbetjeve mortore të carit Samuill në atdheun e tij u bë e mundur pas negociatave intensive mes Bullgarisë dhe Greqisë. Nga ana e saj, Bullgaria i dorëzon Greqisë 48 relikte kishtare.

„Përpjekjet e Bullgarisë për kthimin e eshtrave nisën që në vitet ’60, kur profesori Mucopulos i zbuloi ato në bazilikën në ishullin e Shën Ahilit. Gjatë këtyre gjashtë dekadave, shteti bullgar nuk i ka ndalur përpjekjet për t’i kthyer këto eshtra në Bullgari. Dhe gëzohem që sot po përmbushim amanetin moral të profesorit Mucopulos – që ato t’u kthehen bullgarëve. Ju falënderoj për udhëheqjen politike, mençurinë dhe kurajën që na mundësuan ta arrijmë së bashku këtë marrëveshje historike për dy vendet tona“, tha kryeministri Radev gjatë ceremonisë, duke iu drejtuar Mitsotakisit. Radev falënderoi gjithashtu ministrat e kulturës të të dyja vendeve dhe ekipet diplomatike që po punojnë për shkëmbimin e ndërsjellë të objekteve me vlerë historike dhe kulturore.

Rumen Radev

Rumen Radev

FOTO: BTA

„Sot po krijojmë një lidhje shumë të thellë me Bullgarinë, dhe jo vetëm në planin kulturor. Kthimi i një pjese të rëndësishme të inventarit kishtar i shndërron momentet e vështira historike në mundësi të reja për komunikim. Në të njëjtën kohë, kjo tregon forcën që mund të tregojnë dy popuj fqinjë në rrugën drejt respektit dhe besimit të ndërsjellë. Në këtë mënyrë, në vendin tonë po kthehen 48 relikte me rëndësi të madhe për jetën shpirtërore dhe emocionale – ikona, kryqe, objekte kishtare, madje edhe një fron ipeshkvor“, tha Kyriakos Mitsotakis dhe shtoi: „Bashkëpunimi ynë sapo ka nisur. Ky është vetëm hapi i parë dhe shpresoj që të çojë drejt një bashkëpunimi edhe më të gjerë, në mënyrë që nga Greqia t’i kthehen Bullgarisë edhe relikte të tjera. Ajo që po ndodh sot nuk do të kishte qenë e mundur në dekadat e mëparshme. Diplomacia kulturore tregon se vepron në heshtje, por me shumë rezultate.“

Kyriakos Mitsotakis

Kyriakos Mitsotakis

FOTO: BTA

Nga depoja e muzeut grek, eshtrat e carit Samuill u nxorën këtë mëngjes dhe u dërguan në sallën e Muzeut të Kulturës Bizantine, ku u zhvillua ceremonia zyrtare. Ato u shoqëruan nga arkeologu, prof. Lyjudmill Vagallinski, dhe konsulli i përgjithshëm bullgar në Selanik, Anton Markov. Në një prononcim për BNT-në, prof. Vagallinski tha se eshtrat e Samuillit ishin ruajtur me shumë kujdes gjatë gjithë këtyre dekadave dhe se një meritë të veçantë për këtë kishte arkeologu grek Nikolaos Mucopulos, i cili në vitet ’60 të shekullit XX zbuloi eshtrat e sundimtarit bullgar.

Greqia i dorëzoi Bullgarisë eshtrat e carit bullgar Samuill

FOTO: BTA

Për një kohë të gjatë, ai i mbajti personalisht në shtëpinë e tij mbetjet mortore të Samuillit dhe familjes së tij, nga frika se ato mund të dëmtoheshin për shkak të situatës politike në Greqi, e cila në atë kohë drejtohej nga një juntë ushtarake. Më pas, eshtrat iu dorëzuan Universitetit të Selanikut, ku gjithashtu u ruajtën me kujdes, ndërsa më vonë u transferuan në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram