Në organizim të qendrës kombëtare të poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve “Gjakova” në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë është mbajtur edicioni i gjashtë i festivalit mbarëkombëtar të poezisë.
Festivali njëditor me karakter garues mblodhi rreth vetes poetë e shkrimtarë, adhurues të fjalës së shkruar nga të gjitha trevat shqiptare.
“Konstatimi i përgjithshëm i jurisë është se konkursi ka qenë i sukseshëm për faktin se kemi poezi që karakterizohen me arritje të vlerave artistike. Poezitë janë me një larushi tematike, duke filluar nga motivet atdhetare, sociale, lirikat e dashurisë e motive tjera. Autorët përmes figurave stilistike si metafora, epiteti, krahasimi, kanë shpërfaqur ndjenjat e tyre duke dhënë mesazhe kuptimplote”, tha Izet Avdyli, kryetar i jurisë.
Pas vendimit të jurisë së festivalit, çmimi i parë për poezinë më të mirë i takoi poetit nga Malësia e Gjakovës, Lulzim Logu.
“Vërtet, përmes kulturës kemi arritur ta bashkojmë kombin dhe të bashkojmë mundësitë për të ardhmen tonë. Sigurisht, në dukje të parë, një festival njëditor është diçka e vogël, por në fakt festivali ka një impakt shumë të madh. Çmimet janë thjesht kalimtare; e rëndësishme është që ne të mendojmë se si ta çojmë përpara kulturën tonë mbarëkombëtare”, tha Lulzim Logu, çmimi I parë për poezinë më të mirë.
Për organizatoren e festivalit, Mevlyde Saraqi Mjezini, aktiviteti dëshmoi nivelin artistik të pjesëmarrësve dhe rolin e poezisë në ruajtjen e kujtesës dhe trajtimin e temave shoqërore.
“Për mua sot është ditë feste sepse ka pasur një kualitet të poezive të poetëve konkurues, ka pasur figura të rëndësishme që kanë krijuar emëre në dekada dhe e kanë nderuar Gjakovën. Tematika, larushia e poezive ka qenë e jashtëzakonshme dhe ky mendoj se është një realizim sepse ne nuk e kemi harruar të kaluarën por po mundihemi t’i shërojmë plagët përmes vargjeve poetike”, Mevlyde Saraqi Mjezini, organizatore.
Ndryshe, Edicioni i gjatë i festivalit mbarëkombëtar të poezisë është përkrahur nga Drejtoria për kulturë, rini e sport në Gjakovë.

