Saturday, October 3, 2026
HomeLajmeKosovë65-vjetori i lindjes së Nuhi Berishës shënohet në Gjilan

65-vjetori i lindjes së Nuhi Berishës shënohet në Gjilan

Sot u shënua 65-vjetori i lindjes së heroit Nuhi Berisha. Me këtë rast, në Gjilan u organizuan aktivitete përkujtimore, u promovua monografia “Militanti” dhe u prezantuan fotografi, relikte e dëshmi për jetën dhe veprimtarinë e tij.65-vjetori i lindjes së heroit Nuhi Berisha u shënua me aktivitete përkujtimore, ku u rikthyen në vëmendje jeta, veprimtaria dhe sakrifica e tij. Për bashkëveprimtarët e tij, kujtimi për Nuhi Berishën lidhet me idealin për liri dhe me sakrificën e një brezi që iu përkushtua këtij ideali.

“Jam shumë krenar që i kam takuar një brezi të tillë të Nuhi Berishës e që uniformën ushtarëve që ua kam veshur, po ajo ka qenë ideali i Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Është ideal i tyre, amanet i tyre, edhe e ka mbërritur Kosova lirinë pikërisht duke u bazuar në heroizmin e tyre”, tha Ahmet Isufi, bashkëveprimtar i heroit Nuhi Berisha.

Për ish-të burgosurin politik, Nezir Myrtaj, 12 janari i vitit 1984 shënon ditën kur Nuhi Berisha u flijua, ndërsa kujtimi për të, sipas tij, duhet të lidhet me veprën dhe sakrificën e tij.

“12 janari i vitit 1984 është dita e përjetësimit të tij. Sikur të gjithë therorët e lirisë edhe Nuhiu ka vetëm ditëlindje. Dëshmorët nuk kanë ditë të vdekjes, prandaj ata nuk qahen e as vajtohen, atyre iu përket lavdia”, tha ai.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tha se komuna kishte mbështetur aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij përvjetori, përfshirë edhe botimin e monografisë.

“Jam shumë krenar e para së gjithash jam i nderuar shumë që kam pasur mundësinë të jem në mbështetje të këtyre dy ditëve të aktiviteteve. Jam shumë i lumtur që kemi arrit të botojmë edhe monografinë”, theksoi ai.

Në këtë përvjetor u promovua edhe monografia “Militanti”, ndërsa përmes fotografive, relikteve dhe dëshmive u sollën para publikut pjesë nga rrugëtimi i Nuhi Berishës dhe i brezit me të cilin ai veproi.

“Derisa Rexhepi kishte një veprimtari më të gjatë që nga viti 1968 si gjimnazist, Nuhiu ishte vetëm 20 vjeç kur në Prishtinë u përlesh për herë të parë me milicinë speciale serbe që kishte ardhur për të shtypur me gjak demonstratat studentore e gjithëpopullore në pranverën e kuqe të vitit 1981, pjesëmarrës aktiv i të cilave ishte edhe ai”, tha Agim Sylejmani, autor i monografisë “Militanti”.

Kujtimi për Nuhi Berishën dhe për bashkëveprimtarët e tij vazhdon të përcillet përmes dokumentimit të historisë, dëshmive të bashkëkohësve dhe veprave që ruajnë kujtesën për brezin e tyre.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram