Monday, October 5, 2026
HomeLajmeKosovëUnanimisht miratohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara

Unanimisht miratohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara

Komisioni për Legjislacion në mënyrë unanime ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. I njëjti do të procedohet për miratim në shqyrtim të parë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur për orën 09:00.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, nga radhët e Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, tha se kanë pranuar opinionin e Ministrisë së Drejtësisë dhe se ligji i plotëson standardet e nevojshme.

“Ne si komision duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ne si LVV do ta japim votën tonë pro dhe do të ndihmojmë që ta kalojmë këtë situatë, sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e identitetit tonë”, ka deklaruar ai.

Anëtarët e Komisionit kërkuan sot unifikim të deputetëve për ta kaluar plotësim-ndryshimin e ligjit.

“Neve për të ndryshuar Kushtetutën na duhet një shumicë e dyfishtë. Ne kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim Kushtetutën. Por përmes ndryshimit të ligjit, ne ia marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, atë për krimet e luftës, që nuk ka qenë qëllim kur është formuar gjykata. Një dilemë që e kemi pasur është se në opinion është thënë nëse ky ligj mund të sfidohet. Ai nuk i nënshtrohet kontrollit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Kompetencën që ka qenë në ligj, ne ia kemi bartur Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë. Unë besoj që kemi bërë zgjidhjen më të mirë. E para, për të mos prishur asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë, e dyta, që ne sigurojmë që proceset tjera për krimet e luftës kthehen dhe gjykohen në Kosovë. Rasti ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit do të shkojë edhe në Apel në Hagë. Por, nëse do të ketë gjykim në shkallën e tretë, ai do të kthehet në Kosovë”, ka shtuar anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda.

Ndërsa anëtari i Komisionit nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, potencoi se deputetët duhet ta kalojnë sot ligjin në të dyja leximet.

“Ky institucion çohet e thotë në emër të popullit. Jo në emër të popullit. E kur thonë në emër të popullit, a ka ndonjë përfaqësues vendor atje? Ajo që duhet ne si komision të themi troç është se plotësimi dhe ndryshimi mbi premisat e standardeve juridike janë shumë normale. Ligjet evoluojnë me kohë. Mësimet e nxjerra nga proceset tregojnë se institucioni duhet të reflektojë dhe ne jemi këtu për t’i bërë këto vendime”, ka shtuar ai.

Komisioni për Legjislacion shqyrton Projektligjin për Specialen

Sot nga ora 08:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, i cili në rend të ditës do të ketë shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur, dje, kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, përmes një postimi në Facebook.

“Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij. Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit. Ftohen deputetët dhe mediat që të marrin pjesë në këtë mbledhje!”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se do të mbajë sot, më 5 tetor 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë e të tjera.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram