Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që protestat në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i zhvillojnë në mënyrë paqësore dhe me respekt për Policinë e Kosovës.
Në një komunikatë për media, Hykolli ka thënë se e drejta për protestë dhe ruajtja e sigurisë publike duhet të ushtrohen në respekt të ndërsjellë.
“Liria e Kosovës u arrit me luftën e UÇK-së, me sakrificën e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve tanë”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.
Hykolli ka theksuar se mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare duhet të shoqërohet me respektimin e institucioneve, dinjitetit të qytetarëve dhe sigurisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Policja dhe polici i Kosovës janë vajzat dhe djemtë tanë, janë aty për ne dhe për vendin. Kur mbrojnë institucionet në përmbushje të detyrës ligjore, ata dhe ato mbrojnë edhe të arriturat e lirisë dhe amanetin e atyre që dhanë jetën për të”, ka thënë Hykolli.
Ai u ka bërë thirrje protestuesve që të mos i provokojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe t’i lejojnë ata ta kryejnë detyrën me dinjitet.
Sipas BSPK-së, çdo veprim dhune, kërcënimi apo dëmtimi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është i papranueshëm dhe nuk do të përkrahet nga sindikata.
Hykolli ka thënë se përgjegjësia e organizatorëve dhe pjesëmarrësve është që protestat t’i mbajnë paqësore dhe kërkesat e tyre të qarta, duke vlerësuar se respektimi i shtetit të Kosovës i jep forcë politike dhe besueshmëri publike mbrojtjes së vlerave të UÇK-së.

