Shkruan: Florim ZEQA
Patriotizëm është dashuria ndaj vendlindjes, vendit nga i ke rrënjët dhe prejardhjen gjenealogjike, është dashuria për familjen, të afërmit dhe farefisin e gjerë. Patriotizëm është dashuria për tokën në të cilën je rritur, patriotizëm është me të marrë malli për ushqimet tradicionale dhe ujin e burimeve nga thellësia e tokës, patriotizëm është edhe nostalgjia për shokët e fëmijërisë, shkollës, studimeve dhe punës.
Jeta e të rinjve në mërgim, plot sfida dhe rreziqe
Shteti dhe qyteti në vend të huaj, ia gërryen shpirtin mërgimtarit me mallin dhe nostalgjinë për të kaluarën e tij në vendlindje, por më e keqja është se mërgimi t’i merr vitet më të mira të jetës dhe dalëngadalë ta venitë shpresën për kthim në vendlindje.
Pasi, aspektet materiale dhe kushtet e mira të jetës në perëndim, për aq sa t’i lehtësojnë zgjidhjet e problemeve të jetës, aq ta vështirësojnë kthimin në atdhe!
Edhe përkundër gjendjes së mirë socio-ekonomike, njeriu asnjëherë nuk e gjen rehatin dhe qetësinë shpirtërore sikurse e gjen në atdheun e vet, sikurse e gjen në tokën ku ka lindur dhe është rritur.
Vala e largimeve masive e të rinjve nga Kosova, sa është bërë shqetësuese për të ardhmen e shtetit, aq është sfiduese për të ardhmen e të rinjve në vendet evro-perëndimore, kur, jo të gjithëve ju buzëqesh fati i rehatisë dhe zgjidhjes së problemeve financiare.
Shumë të rinj, nga dëshira për pasurim të shpejtë rrëshqasin në rrjetin e grupeve kriminale, të shpërndarjes së narkotikëve dhe prostitucionit, nga të cilat, jo vetëm që nuk arrijnë pasurohen, nuk shpëtojnë dot nga përfundimet tragjike!
Gjendja e pashpresë të cilën e katandisen shtetin njerëzit e politik-bërjes, ka shkaktuar pakënaqësi dhe pasiguri tek qytetarët, duke ua thyer të gjitha shpresat të rinjve për jetë dhe rrënuar ardhmërinë e vendit.
Arteria më e shëndoshë kombëtare, e harruar nga politikanët-rinia jonë e mrekullueshme, qenia më e çmuar kombëtare meriton shumë më shumë nga ajo që ju kanë ofruar deri më sot politikanët e pangopshëm apo siç unë e parapëlqejë t’i quaj kusarët politikë, të cilët rropën e ç’rropën gjithçka që ju erdhi në dorë, duke e trajtuar Kosovën si plaçkë lufte, ndërsa qytetarët si skllevër të robëruar.
Izolimi “dhuratë” e burokratëve perëndimorë, varfëria dhe pabarazia qytetare pasojë e politikanëve injorantë
Mirëpo e gjithë kjo nuk po ndodhë krejtësisht edhe për fajin e politikanëve tonë, sa është duke ndodhur edhe nga burokracitë e kancelarive perëndimore, një pjesë e të cilave, siç duket janë të ngarkuara me mision nga Serbia për zbrazjen e Kosovës nga popullata e saj.
Burokratët perëndimorë, nga paslufta na privuan nga e drejta për të pasur monedhën tonë kombëtare (Lekun e Shqipërisë apo Dardanin e projektuar nga presidenti historik Ibrahim Rugova), të cilët fillimisht na imponuan monedhën gjermane (DM), më pas atë evropiane (EURO), tani 24 vite në liri dhe 15 vjet si shtet i njohur ndërkombëtarisht, po na mbajnë edhe të izoluar pa të drejtë lëvizje të lirë drejt shteteve evro-perëndimore, përderisa qytetarët e shteteve të rajonit me monedhat e tyre tradicionale lëvizin lirshëm drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Kjo është një padrejtësi, të cilën nuk është dashur pranuar nga fillimi politikanët injorantë dhe karrierist, të cilët për mbajtjen, përkatësisht marrjen e pushtetit në gjysmë shtet e harruan interesin e qytetarëve dhe fatin e shtetit në tërësi.
Barazia dhe mirëqenia qytetare nuk ndërtohen me fjalë dhe frazeologji poetike, as me mashtrime dhe hipokrizi, e aq më pak me hajdut dhe matrapaz politik që i vënë në pazar interesat e shtetit dhe qytetarëve.
Prandaj, jo rastësisht e ngrita si shqetësim largimin e të rinjve në shkrimin paraprak me titullin metaforik “Kosova po vdes pas syve tanë!”, duke aluduar në mbylljen e syve të politikanëve tanë përballë depopullimit të Kosovës nga shqiptarët autokton.
Heshtja e politikanëve karshi të keqes që po i ndodhë vendit, është pak më tepër se verbëri politike, është mashtrim i qytetarëve dhe tradhti kombëtare. Sikur politikanët t’i shihnin me kohë gabimet e tyre, nuk do të ndodhte odiseada e largimit e të rinjve nga Kosova 24 vjet pas çlirimit. Jemi të vonuar dhe të dështuar në shtetndërtim.