Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kërkuar zbatimin e plotë të ndryshimeve të miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se vendimet e Kuvendit janë detyrim për institucionet.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se zbatimi i ligjeve nuk mund të varet nga vullneti i institucioneve apo i individëve.
“Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka bërë thirrje që institucionet dhe qytetarët të mbështesin zbatimin e secilit nen të ligjit, pa përjashtime dhe pa paqartësi.
“Tani është koha që të gjithë, institucionet dhe qytetarët, t’i qëndrojmë fuqishëm prapa çdo neni të këtij ligji dhe të kërkojmë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivokë”, ka theksuar ai.
Tahiri ka shtuar se nuk duhet të ketë hezitim në zbatimin e ndryshimeve ligjore, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së se Kosova duhet të veprojë si shtet sovran.
“Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë”, ka deklaruar Tahiri.

