Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin George M. Wikoff, dhe komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin Roberto Vergori.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se në takim u diskutua për situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë te progresi i arritur dhe bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
“Diskutuam për situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në progresin e arritur dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend”, shkroi Sveçla.
Ai ritheksoi edhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar këtë si synim strategjik dhe hap të rëndësishëm drejt kontributit në sigurinë kolektive euroatlantike.
Sveçla bëri të ditur se gjatë takimit u rikonfirmua gatishmëria për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me komandantin paraprak të KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

