Monday, October 19, 2026
HomeGjeopolitikOpinionRrëfime personale: Në mars të vitit 1985 u ktheva nga shërbimi ushtarak...

Rrëfime personale: Në mars të vitit 1985 u ktheva nga shërbimi ushtarak njëvjeçar në Sarajevë





Zejdush Kastrati

Vetëm disa muaj para se të shkoja në shërbimin ushtarak, kryeredaktori i gazetës “Rilindja”, Maksut Shehu, kishte vizituar Gjilanin dhe kishte biseduar me strukturat udhëheqëse të asaj kohe për të marrë pëlqimin që unë të mbetesha korespondent i gazetës në këtë qytet.

Nga informacionet që kisha, kundërshtari më i zëshëm ishte kryetari i LSPP-së (Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës) të Gjilanit, tashmë i ndjerë dhe emrin e të cilit nuk dua ta përmend. Por kundërshtime te ashpra kishte edhe nga disa struktura të Komitetit Komunal.

Arsyet nuk ishin të panjohura.

Përveç akuzave se kisha marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981, pakënaqësinë më të madhe ndaj meje e kishin krijuar disa shkrime që kisha botuar pikërisht në atë periudhë. Sidomos ne dy prej tyre, per politikat banesore ne Gjilan , ku kisha publikuar emrat e disa udhëheqësve komunalë, por edhe të nivelit krahinor nga Gjilani, të cilët, sipas fakteve që kisha siguruar, kishin abuzuar me aksionin e atëhershëm “Ke shtëpi, kthe banesën”, por edhe abuzime per ndarje banesash.
( shih shkrimet ).

Për këto shkrime pati reagime edhe në gazetën “Rilindja”. Unë iu kundërpërgjigja me fakte.

Madje, për këto raste u mbajt edhe një mbledhje e veçantë e Kryesisë së LSPP-së komunale. Aty u gjykua publikimi im dhe më kërkua të tregoja se nga kush kishte rrjedhur lista me emrat e personave që ishin përmendur në shkrim.

Nuk pranova. Fuqizove kundereagimin tim me nje shkrim ku prezentova edhe dy funkcionare qe nuk figuronin në shkrimin e pare, dhe nuk tregova kurrë se nga kush e kisha marrë atë informacion.

(Tash po e tregoj emrin. E kishte Adem, zyrtar ne LSPP-, por ia kam harruar mbiemrin.)

Prandaj, kthimi im nga ushtria ishte edhe një barrë e rëndë. U ktheva, por nuk kisha më vend pune.

Ndërkohë, kryeredaktori im i respektuar i “Rilindjes”, Maksut Shehu, ishte shkarkuar. Në vend të tij Komiteti kishte emëruar Beqir Hotin. Kur kërkova një takim me të, nuk më pranoi as në bisedë.

Ishte një nga periudhat më të vështira që kisha përjetuar deri atëherë.

E vetmja shpresë që kisha vinte nga Isa Shefkiu, një njeri autoritativ, por mbi të gjitha i sinqertë, i cili në atë kohë ushtronte detyrën e sekretarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Nga ai kisha marrë informacionin se së shpejti do të merrej një iniciativë nga strukturat komunale për punësimin e të diplomuarve nëpër organizatat punuese të komunës, me qëllim të zbutjes së papunësisë.

Kjo nismë, megjithëse u vonua disa muaj dhe u shoqërua me shumë pengesa e, siç më dukej mua, edhe me keqpërdorime, më në fund u realizua.

Një ditë u ftova në një takim në BVI-në e Punës, ku më kumtuan se, nga 1 qershori, do të sistemohem si referent për informim në Kombinatin e Duhanit në Gjilan.

Nga halli u pajtova.

Madje, në njëfarë mënyre, u ndjeva mirë. Kombinati ishte një kolektiv i madh, me më shumë se 600 punëtorë, me perspektivë dhe siguri në prodhimtari, sidomos në fazën e finalizimit, dhe me të ardhura relativisht të mira.

Por, para se të filloja punën, mora vesh diçka që nuk e kisha ditur: aty nuk kishte fare një qendër për informim. Çështja e informimit ishte, në njëfarë mënyre, tabu dhe dukej mjaft e vështirë të krijohej një hapësirë e tillë.

Më 1 qershor u paraqita në Shërbimin e Përgjithshëm të këtij kolektivi.

Takimin e parë e mbaj mend shumë mirë. Aty u takova me Ramadan Agushin, një ish-i burgosur politik, njeri plot energji. Ai më ftoi në zyrën e tij dhe më kumtoi se do të punoja aty, në zyrën ku ai kryente punën e përkthyesit. Më tregoi gjithashtu se së shpejti do të dilte në pension.

Sfida kryesore, dhe një nga gjërat më të vështira për mua, ishte orari i punës.

Në këtë ndërmarrje puna fillonte në orën shtatë të mëngjesit dhe përfundonte në orën pesëmbëdhjetë.

Unë nuk isha mësuar me një regjim të tillë. Si gazetar, kisha punuar edhe 24 orë në ditë, nëse e kërkonte puna, por nuk kisha përjetuar një orar kaq strikt dhe të detyrueshëm.

Nga fshati duhej të udhëtoja me autobus dhe më duhej të nisesha rreth orës 5:30 të mëngjesit për të arritur me kohë në punë.

Në të vërtetë, e përballoja me shumë vështirësi. Jo rrallë vonohesha dhe, për të justifikuar vonesat, gjeja edhe arsye që shpesh ishin trillime.

Megjithatë, kisha mirëkuptim. Më toleronte sekretari, por edhe rojtarët te porta.

Ndoshta edhe për shkak të raporteve që kisha krijuar gjatë kohës kur punoja si korespondent i “Rilindjes”, gjeta mbështetje jo vetëm në kolektivin e Kombinatit, por edhe te disa redaktorë në redaksi.

Kështu, nuk u shkëputa plotësisht nga profesioni.

Vazhdova të raportoja për punën dhe veprimtarinë e Kombinatit: për afarizmin, mbjelljen, vjeljen dhe grumbullimin e duhanit, si dhe për investimet në këtë ndërmarrje.

Në njëfarë mënyre, gazetaria vazhdonte të më mbante lidhur me veten.

Ndërkohë, drejtoria e kolektivit më kishte kërkuar që, për disa muaj, derisa të përgatitej sistemimi i ri dhe të hapej qendra e informimit, të kryeja edhe punën e përkthyesit.

Nuk pranova.

Përjashtim bënin ndonjë njoftim apo vendim që e përshtatja disi në gjuhën shqipe.

Arsyeja kryesore ishte e thjeshtë: nuk e njihja mirë gjuhën serbokroate dhe nuk ndihesha i sigurt për ta bërë atë punë.

Kështu filloi një kapitull tjetër i jetës sime profesionale: larg redaksisë, por jo edhe larg gazetarisë.

Rrëfimet vazhdojnë çdo të diele

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram