Tuesday, October 20, 2026
HomeLajmePërplasje mes protestuesve e Policisë, hidhen kapsolla dhe molotovë

Përplasje mes protestuesve e Policisë, hidhen kapsolla dhe molotovë

ATSH/ Protesta në Tiranë ka vijuar edhe mbrëmjen e sotme teksa protestuesit, të mbledhur fillimisht përpara Kryeministrisë, janë zhvendosur më pas përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Gjatë marshimit janë hedhur kapsolla, fishekzjarrë dhe molotovë, ndërsa në rrugë janë ndezur zjarre.

Forcat e policisë kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit kanë vijuar lëvizjen drejt zonës së Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Skënderbej”.

Tubimi vijon në kryeqytet, i shoqëruar me tensione dhe ndërhyrjen e forcave të rendit.

Protestuesit kanë hedhur breshëri fishekzjarresh, përfshirë molotovë, në drejtim të forcave të policisë.

Forcat e rendit po ndjekin protestuesit, të mbështetura nga autoboti me ujë, në përpjekje për të menaxhuar situatën.

Gjatë marahimit u shënuan incidente, protestuesit u kanë vënë flakën edhe koshave të mbeturinave, duke shtuar tensionet në zonën ku po vijon tubimi.

Protesta në Tiranë vijon mes tensioneve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa lëvizjet janë zhvendosur në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Dibrës dhe zonën e Medresesë.

Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit kanë sulmuar me gurë, fishekzjarre dhe molotovë në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët janë kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.

Pranë Medresesë, në Rrugën e Dibrës, janë regjistruar përplasje, ndërsa protestuesit kanë përdorur rrugicat e zonës për t’u shpërndarë. Gjatë marshimit, disa prej tyre u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave.

Tensione janë raportuar edhe në kryqëzimin e 9-Katësheve, ku grupe protestuesish kanë lëvizur në drejtim të bulevardit, duke hedhur kapsolla. Ndërkohë, pranë Ministrisë së Brendshme janë shënuar incidente, ku protestuesit kanë përdorur edhe lazerë në drejtim të efektivëve të policisë.

Forcat speciale RENEA janë pozicionuar pranë Kryeministrisë, ndërsa në zonën e Ministrisë së Brendshme janë dislokuar autobotë me ujë dhe automjete policie.

Gjatë protestës, një i moshuar ka humbur ndjenjat në Rrugën e Barrikadave. Sipas raportimeve, disa persona i kanë ardhur në ndihmë, ndërsa shkaqet e gjendjes së tij nuk janë bërë ende të ditura.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë vijojnë në rrugët e Tiranës, ndërsa efektivët janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar për sulmet me gurë, fishekzjarrë dhe molotovë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram