Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadori Huchet e ka uruar Maqedoncin për mandatin e ri, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës në këtë fushë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës.
Nga ana e tij, ministri Maqedonci e ka falënderuar ambasadorin francez për gatishmërinë e shprehur, duke theksuar vullnetin për avancimin e mëtejmë të partneritetit, veçanërisht në fushën e trajnimeve, shkollimit ushtarak dhe industrisë së mbrojtjes.
“Gjithashtu, e njoftoi për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Programin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse dhe avancimin e kapaciteteve për prodhimin e municioneve”, thuhet në njoftim.
Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se Franca mbetet një aleat dhe partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, duke e mbështetur vendin në faza të rëndësishme të shtetndërtimit dhe zhvillimit.
Sipas ministrisë, synimi është që ky partneritet të thellohet edhe më tej, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

