Thursday, October 22, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu:Kuvendit po i rikthehet gjallëria, formohet komisioni për Bordin e RTK-së

Haxhiu:Kuvendit po i rikthehet gjallëria, formohet komisioni për Bordin e RTK-së

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se gjatë seancës së sotme parlamentare janë trajtuar një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, ndërsa është formuar edhe Komisioni Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Përmes një postimi, Haxhiu ka vlerësuar se Kuvendit po i rikthehet dinamika e punës parlamentare, duke theksuar se gjatë seancës janë zhvilluar diskutime për çështje të ndryshme, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar.

“Kuvendit po i rikthehet gjallëria. Në seancën e sotme u ngritën dhe u sqaruan një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka njoftuar gjithashtu se Komisioni Ad Hoc është formuar për të zhvilluar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së. Sipas saj, dy pozita janë të dedikuara për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.

Kryetarja e Kuvendit ka theksuar rëndësinë e kompletimit të Bordit të transmetuesit publik, duke nënvizuar se institucioni ligjvënës do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet brenda afateve dhe në mënyrë transparente.

“Si transmetues publik RTK-ja duhet të ketë një Bord të kompletuar, dhe Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente”, ka theksuar Haxhiu.

Formimi i këtij komisioni shënon një hap drejt përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Bordit të RTK-së, me synimin për të siguruar funksionimin e plotë të organit drejtues të transmetuesit publik.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram