Friday, November 20, 2026
HomeLajmeProtestat në Tiranë, gjykata urdhëron lirimin e 27 të ndaluarve

Protestat në Tiranë, gjykata urdhëron lirimin e 27 të ndaluarve

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin e 27 personave të ndaluar gjatë protestave në kryeqytetin shqiptar, pasi ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurisë, raportojnë mediat në Tiranë.

Sipas raportimeve, vendimet janë marrë më 22 tetor nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vlerësuar të paligjshme një pjesë të arrestimeve në flagrancë, ndërsa për disa persona të tjerë ka caktuar masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Në grupin e parë prej 10 personash, gjykata ka vlerësuar të paligjshme arrestimet e tetë prej tyre dhe ka vendosur të mos caktojë masa sigurie.

Për dy të tjerët, T. T. dhe F. M., arrestimet janë vlerësuar të ligjshme, por është caktuar masa e detyrimit për t’u paraqitur pranë Prokurorisë së Tiranës të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Në një vendim tjetër, gjykata ka shqyrtuar rastet e 11 personave, duke shpallur të paligjshme tetë arrestime dhe duke mos caktuar masa sigurie për shtatë prej tyre.

Për M. M., L. S. dhe E. G., arrestimet janë vlerësuar të ligjshme dhe është caktuar masa e detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore. Edhe për D. D., ndonëse arrestimi është shpallur i paligjshëm, është caktuar masa e detyrimit për t’u paraqitur.

Vendimet kanë përfshirë edhe gjashtë të mitur në konflikt me ligjin, për të cilët gjykata ka vlerësuar të paligjshme arrestimet në flagrancë dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Personat nën hetim dyshohen, në varësi të rasteve, për kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, si dhe shkatërrim të pronës.

Ndërkohë, RTSH ka raportuar edhe për një vendim tjetër të Gjykatës së Tiranës, lidhur me 12 persona të arrestuar në flagrancë, për të cilët arrestimet janë vlerësuar të ligjshme, por është urdhëruar lirimi i tyre nga ambientet e izolimit.

Për 11 prej tyre është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, ndërsa për një person është vendosur edhe masa e “Ndalimit dhe detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”.

Sipas raportimeve, vendimet e gjykatës mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram