Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , i telefonoi Elon Musk dhe i kërkoi atij të hiqte kufizimet mbi përdorimin e Starlink nga Ukraina, raportoi të enjten Wall Street Journal (WSJ), duke cituar zyrtarë amerikanë.
Sistemi Starlink po funksiononte më shpejt të enjten, menjëherë pas bisedës midis Trump dhe Musk, sipas zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas të cituar nga gazeta.
Disa zyrtarë ukrainas i thanë gazetës se sistemi nuk është rivendosur plotësisht, por se po funksionon më shpejt sesa kur ishin në fuqi kufizimet.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më herët të enjten se shpejtësia e Starlink në Ukrainë ende nuk është rikthyer në nivelet e mëparshme, duke shtuar se shpreson të zhvillojë bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio në ditët në vijim.Trump i tha Muskut se ishte i frustruar që shpejtësia e sistemit ishte ende e kufizuar në rreth 160 kilometra në orë, raportoi WSJ, duke cituar zyrtarë.
Rubio tha të mërkurën se vendimet në lidhje me aksesin e Ukrainës në Starlink janë përgjegjësi e kompanisë së saj mëmë SpaceX dhe CEO-s së saj Musk, jo e Shtëpisë së Bardhë.
Ukraina përdor Starlink për komunikimet në fushën e betejës dhe kontrollin e dronëve. Kufizimi i këtij shërbimi satelitor i ka bërë operacionet ofensive dhe mbrojtëse të Ukrainës me dronë kundër Rusisë më të vështira.

