Monday, November 16, 2026
HomeGjeopolitikOpinionAfër katër vite punë koti !

Afër katër vite punë koti !

Nga Zejdush Kastrati

Kishim një shoqëri të mirë në atë shërbim, prandaj nuk kisha shumë arsye për t’u ankuar. Ditët dhe muajt kalonin, ndërsa unë, me punën që bëja, ndonjëherë mendoja se nuk e arsyetoja as ushqimin që haja në mensën e kolektivit.

Të them të drejtën, kisha një liri të konsiderueshme lëvizjeje edhe jashtë ndërmarrjes. E arsyetoja këtë me vizitat në kolektive të tjera që kishin qendra informimi, sidomos në Kombinatin e Tekstilit “Integj” në Gjilan, një gjigant ekonomik i asaj kohe, por edhe në Trepçë, Kosovatrans, KEK e vende të tjera.Në këtë mënyrë, edhe pse puna ime zyrtare ishte larg profesionit të gazetarit, vazhdoja të qëndroja pranë botës që njihja dhe që e doja.

Por marrëdhëniet ndëretnike në këtë kolektiv nuk ishin për t’u lakmuar.

Secila palë i ruhej tjetrës.

Serbët dominonin në vendimmarrje dhe, falë edhe disa servilëve shqiptarë dhe komunistëve të përbetuar, ishin ata që diktonin shumë vendime.

“Revolucioni i Jogurtit”, që kishte marrë hov edhe në Shillovë, në vitin 1988, një lokalitet pranë Gjilanit ku jetonte një popullsi serbe e mobilizuar politikisht dhe nacionalisht, reflektoi edhe në këtë kolektiv. Marrëdhëniet u acaruan edhe më shumë.

Pas kësaj filluan të shfaqeshin akuza, skenarë dhe presione të llojeve të ndryshme, shpesh në dëm të shqiptarëve.

Pastaj erdhi greva e minatorëve të Trepçës në Stari Tërg, nga 20 deri më 28 shkurt 1989.

Ishte një nga ato ngjarje që e mbaj mend shumë qartë.

Në Kombinatin e Duhanit pati solidarizim të madh të punëtorëve shqiptarë. Filloi edhe grumbullimi i ndihmave financiare dhe materiale për minatorët.

Shefi i Shërbimit Komercial, Zijadin Salihu, një burrë shumë i ndershëm, më thirri në zyrën e tij.

Më dorëzoi mbi 10 mijë marka dhe një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore. Pastaj më caktoi edhe shoferin, Sami Mushicën, i cili është ende gjallë, dhe më tha se, nëse kisha disponim dhe guxim, të shkonim në Stari Tërg për t’ua dorëzuar ndihmat minatorëve.

E pranova pa hezitim.

Shkuam dhe e realizuam dorëzimin pa ndonjë problem të madh.

Por të nesërmen, te porta e Kombinatit, më priste policia.

Më dërguan në stacion, ku një inspektor i ardhur nga Nishi më mori në pyetje.

E pranova se kisha qenë në Stari Tërg, por shpjegova se kisha shkuar vetëm për të dërguar disa produkte ushqimore si ndihmë.

Pas 24 orësh më liruan.

Megjithatë, atmosfera tashmë kishte ndryshuar.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës, më 24 mars 1989, ishte një pikë kthese që e përkeqësoi edhe më shumë situatën e sigurisë dhe marrëdhëniet ndëretnike në kolektiv.

Kishte shqiptarë që koketonin me pushtetin e atëhershëm dhe zbatonin me shumë dëshirë urdhrat e Komitetit Komunal, por edhe të drejtorisë.

Presioni ndaj shqiptarëve rritej.

Kishte diskriminim, presion dhe edhe dhunë verbale.

Deri sa erdhi dita që edhe unë duhej të merrja një vendim.

Më 2 shtator 1990 më sollën një urdhëresë të shkruar në gjuhën serbe, me kërkesë që ta përktheja dhe ta riformuloja në gjuhën shqipe.

Përmbajtja ishte e qartë: vendime obligative dhe masa ndëshkuese ndaj punëtorëve që do t’i përgjigjeshin thirrjes së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të udhëhequra nga dr. Hajrullah Gorani, për grevën e përgjithshme të paralajmëruar më 3 shtator, në kundërshtim me masat e dhunshme të Serbisë.

Urdhëresa paralajmëronte me dënime dhe largime nga puna ata që nuk do ta respektonin.

E refuzova menjëherë.

Nuk e pranova me asnjë kusht ta përktheja.

Më thirri edhe drejtori i ndërmarrjes, Bozhidar Iliq, në zyrën e tij.

Për habinë time, në bisedë u tregua korrekt.

Më tha se e kuptonte që bëhej fjalë për një vendim politik, por se urdhri kishte ardhur nga Komiteti dhe se edhe ai ishte i obliguar ta zbatonte.Pastaj, në shenjë respekti dhe mirëkuptimi, më kërkoi të mos e refuzoja urdhrin, sepse do të kisha pasoja.

“Do të mbetesh pa punë dhe do të gjendesh në rrugë”, më tha, pak a shumë.

E dëgjova.

Por vendimi im ishte marrë.

Refuzova.

U ngrita dhe dola nga zyra e tij.

Të nesërmen nuk shkova në punë.

Pasoi fletëparaqitja para Komisionit Disiplinor, në një procedurë të përshpejtuar.

Nuk më lejuan më të hyja në ndërmarrje.

Edhe te porta, roja më ndaloi.

Pastaj u mbajt Komisioni Disiplinor.

Dhe këtu erdhi një nga zhgënjimet më të mëdha të asaj periudhe.

Më 24 nëntor 1990, një komision i kryesuar nga një profesor shqiptar, shef i laboratorit, mori vendim për largimin tim nga puna.

Për të isha bindur se nuk do ta merrte kurrë një vendim të tillë.

Madje, po të më pyeste dikush më herët, do të vija bast se nuk do të kishte guximin të merrte një vendim që do të më kushtonte vendin e punës.

Por e mora vesh se edhe njerëzit për të cilët mendon se i njeh mirë mund të të zhgënjejnë.

Vendimi u mor.

U largova nga puna.

Tashmë isha përsëri i papunë.

Por këtë herë gjendja ishte shumë më e rëndë se katër vjet më parë.

Tashmë isha i martuar.

Kisha dy vajza.

Gruaja ishte pa punë.

Banonim me qira.

Dhe, mbi të gjitha, kisha shumë pak shpresë se gjërat do të bëheshin më mirë.

Kishin kaluar gati katër vite që nga dita kur isha kthyer nga ushtria.

Katër vite në një vend pune ku, në fund, më dukej se kisha bërë “punë koti”.

Por, duke e parë sot nga distanca e kohës, ndoshta nuk ishin krejt të kota.

Aty mësova shumë për njerëzit.

Për frikën.

Për servilizmin.

Për heshtjen.

Por edhe për guximin, solidaritetin dhe çmimin që ndonjëherë duhet paguar kur vendos të mos e përkthesh një urdhër që bie ndesh me ndërgjegjen tënde.

Rrëfimet vazhdojnë çdo të diele

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram