Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke shprehur ngushëllime për familjen e saj dhe duke kërkuar angazhim institucional për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e jetës.
Në reagimin e saj, VV-ja thekson se që nga fillimi i vitit në Kosovë janë raportuar 17 viktima të vrasjeve, prej tyre tetë gra dhe nëntë burra.
Sipas Vetëvendosjes, vrasjet e grave lidhen edhe me pushtetin patriarkal, kontrollin mbi gratë dhe mohimin e lirisë së tyre, ndërsa vrasjet e burrave dhe djemve e vënë në pah kulturën e forcës, hakmarrjes dhe zgjidhjes së konflikteve përmes armëve.
VV-ja ka vlerësuar se kultura e të fortit dhe historia e pandëshkueshmërisë kanë lënë pasoja të rënda në shoqëri.
Ajo u ka bërë thirrje komunave, qendrave për punë sociale, Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave që të parandalojnë dhunën, të mbrojnë viktimat, të hetojnë rastet dhe të ndëshkojnë përgjegjësit.
“Çdo kërcënim i shpërfillur mund të përfundojë në tragjedi”, thuhet në reagim, ku theksohet se dhuna nuk duhet të pranohet si normë shoqërore.

