Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, kryesues i Grupit Punues të Apelit në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së ka kryesuar sot mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Konjufca ka bërë të ditur se në mbledhje janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.
“Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës e 28 shtatorit shprehu vullnetin tonë të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në vijim të saj dhe të vendimit të marrë nga Qeveria më 14 tetor, sot kryesova mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka shkruar ai në facebook”.
Ai ka njoftuar se në këtë mbledhje diskutuan drejtimet kryesore të strategjisë, caktuan grupet përgjegjëse për hartimin e saj, dhe përcaktuam planin e përgjithshëm të punës.
“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel. Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj. UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë. Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë”, tha ai.

