Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve mish pule të ngrirë, të markës “Sanderson Farms”, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi gjatë inspektimit në kompaninë Elkos Group SHPK është konstatuar prani e mykut.
Sipas AUV-së, produkti është vlerësuar i papërshtatshëm për konsum njerëzor, ndërsa është urdhëruar ndalimi i menjëhershëm i shitjes dhe asgjësimi i tij nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Veterinar.
Bëhet fjalë për produktin “Kofsha pule të ngrira”, me numër LOT 53110, të paketuar në pako nga 10 kilogramë.
AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë.
Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për të verifikuar tërheqjen e plotë të produktit dhe mbikëqyrjen e asgjësimit të tij.

