Saturday, October 10, 2026
HomeLajmeKosovëLVV dorëzon në Kushtetuese kërkesën për vlerësim të dekretit të presidentes

LVV dorëzon në Kushtetuese kërkesën për vlerësim të dekretit të presidentes

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes, Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit të Republikës.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes, Arbërie Nagavci  ka bërë të ditur se përmes 30 nënshkrimeve, njëkohësisht kanë kërkuar nga Kushtetuesja edhe vendosjen e masës së përkohshme  për pezullimin e këtij dekreti.

“Sapo kemi dorëzuar kërkesën e nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kemi kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar”, ka bërë të ditur Nagavci.

Kryetarja e GP të LVV-së ka thënë se është e qartë se presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak, sipas saj, për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit.

“Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj.

“Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”, ka thënë Nagavci.

Thotë se presin që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë sa më shpejt një vendim, në mënyrë, siç ka shkruar, që të parandalohet çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram