Komuna e Gjakovës ka ndarë pajisje për 37 bletarë, në kuadër të një projekti me vlerë prej 35 mijë e 920 eurosh, të financuar nga buxheti komunal.
Sipas njoftimit të Komunës, 32 bletarë janë pajisur me centrifuga elektrike dhe vaska për nxjerrjen e mjaltit, ndërsa pesë të tjerë kanë përfituar centrifuga elektrike dhe nga 12 dysheme anti-varroa për koshere.
Në shpërndarjen e pajisjeve morën pjesë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Gani Hajdari.
Me këtë rast, Gjini theksoi se komuna do të vazhdojë mbështetjen për bletarët.
“Si institucion, do të vazhdojmë të mbështesim bletarët, duke synuar krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e veprimtarisë së tyre“, ka thënë Gjini.

