Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, është në qendër të spekulimeve rreth largimit të tij nga administrata Trump, ndërsa shtohen spekulimet se ai planifikon të kërkojë nominimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, zbulon gazeta Independent.
Sipas raportit, kreu i diplomacisë amerikane dhe këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë po përgatitet për garën për të marrë nominimin republikan, me zëvendëspresidentin J.D. Vance si kundërshtarin e tij kryesor .
Edhe para zgjedhjeve të mesit të mandatit, në të cilat republikanët humbën kontrollin si të Dhomës së Përfaqësuesve ashtu edhe të Senatit, drejtuesit e partive në SHBA, si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë britanike, kishin vlerësuar, duke folur për Independent, se Rubio mund të largohej nga administrata e Donald Trump.
Këto vlerësime u forcuan pas humbjes së rëndë të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, e cila ishte një mosmiratim i fortë i presidencës Trump.
Sipas të njëjtave burime, Rubio thuhet se është një nga pesë anëtarët e kabinetit aktual të Trump që po shqyrtojnë mundësinë e largimit nga administrata pas debaklit zgjedhor.
Një person i afërt me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së i tha gazetës Independent se Rubio duhet të distancohet nga lufta në Iran dhe ta mbajë Trumpin përgjegjës për të.
Aleati i Rubios beson se “dorëheqja” e tij nga qeveria është një veprim plotësisht logjik.
“Tani për tani, Rubio është favoriti për nominimin republikan. Ai është qartësisht përpara Vance. Megjithatë, ai nuk mund të kandidojë për president për sa kohë që mbetet sekretar shteti dhe lidhja e tij me qeverinë do t’i dëmtonte shanset e tij gjithsesi”, i tha i njëjti burim gazetës Independent.

