Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me kryetarët e grupeve parlamentare, ku është diskutuar për punën e Kuvendit, prioritetet institucionale dhe organizimin e seancave parlamentare në muajt e ardhshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në frymën e një diskutimi të hapur dhe konstruktiv, me fokus në koordinimin e punës ndërmjet grupeve parlamentare.
Ajo ka theksuar rëndësinë e respektimit të dallimeve politike dhe gjetjes së gjuhës së përbashkët për çështjet me interes të përbashkët.
“Në Kuvend, secili grup parlamentar përfaqëson bindje dhe qëndrime të ndryshme, dhe kjo është pjesë e natyrshme e pluralizmit demokratik. Është e rëndësishme që për interesat e përbashkëta të kemi koordinim të plotë, të respektojmë dallimet dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët aty ku ekzistojnë mundësitë për bashkëpunim”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se qytetarët presin përgjegjësi dhe përkushtim nga përfaqësuesit e tyre, si dhe vendimmarrje që adreson nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke dhënë përgjigje konkrete ndaj pritjeve të tyre.

