Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovëIKD kërkon ndëshkim penal për moszbatimin e vendimeve të Kushtetueses

IKD kërkon ndëshkim penal për moszbatimin e vendimeve të Kushtetueses

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar analizën “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, përmes së cilës kërkon ndryshimin e Kodit Penal, në mënyrë që të parashihet përgjegjësi penale për zyrtarët që me qëllim dhe pa arsye të justifikueshme nuk i zbatojnë vendimet e kësaj gjykate.

Analiza u prezantua në një tryezë diskutimi të mbajtur në ‘European House’ në Prishtinë, me pjesëmarrjen e deputetëve të Kuvendit, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe pjesëmarrësve të tjerë. Publikimi u bë me mbështetjen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, njofton IKD.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, tha se, pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme, disa prej tyre nuk janë zbatuar ose janë zbatuar me vonesa të konsiderueshme.

Ai përmendi rastin e 572 punëtorëve të Fabrikës së Çelikut në Ferizaj, rastin e Fadil Hoxhës dhe 59 qytetarëve të Prizrenit, si dhe çështjet që lidhen me Ligjin për Pagat dhe konstituimin e Kuvendit.

Sipas Jakajt, moszbatimi i vendimeve cenon të drejtat e qytetarëve, sigurinë juridike dhe besimin në institucionet e shtetit. Ai vlerësoi se Kodi Penal duhet të përcaktojë qartë përgjegjësinë në rastet kur vendimet shpërfillen qëllimisht dhe pa arsye të justifikueshme.

Jakaj bëri të ditur se 12.120 qytetarë kanë mbështetur Nismën Legjislative Qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, e cila është dorëzuar në Kuvend më 26 tetor 2026. Nisma përfshin edhe propozimin për përgjegjësi penale për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral.

Mbështetje për nismën shprehu nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, pavarësisht qëndrimeve politike të partive.

“Me çfarë autoriteti ne mund t’u themi qytetarëve të Kosovës të zbatojnë ligjin kur vetë institucioni e shkel atë vazhdimisht”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se çdo institucion përgjegjës për moszbatimin e vendimeve duhet të japë llogari, ndërsa propozoi krijimin e një komisioni parlamentar që do të kërkonte raportim publik për zbatimin e tyre, identifikimin e institucioneve përgjegjëse dhe përcaktimin e afateve për përmbushjen e detyrimeve.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, vlerësoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të trajtohen si rekomandime.

“Në një shtet demokratik vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të shihen si rekomandime, por ato janë të obligueshme”, tha Zemaj.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se mosndëshkueshmëria për moszbatimin e këtyre vendimeve është normalizuar dhe se debati politik për përmbajtjen e tyre shpesh merr më shumë vëmendje sesa zbatimi.

“Pra, duket që në këtë kuptim, diskutimi politik mbi atë se çka ka thënë Gjykata Kushtetuese ka më shumë vlerë sesa vetë vendimi”, deklaroi Ramadani.

Ai kritikoi edhe mungesën e qëndrimeve publike të Qeverisë për rastet e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe mosrespektim të Kushtetutës. Ai sqaroi se propozimi i IKD-së për ndryshimin e nenit 394 të Kodit Penal synon të përfshijë vetëm rastet e moszbatimit të qëllimshëm, duke përjashtuar vonesat dhe vështirësitë objektive.

“Ajo që shpresojmë dhe synojmë, dhe që e kemi përmendur edhe në punim, nuk është shtimi i procedurave penale për moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta mënyra më adekuate dhe rezultati më i madh që mund të arrijmë në këtë rast është pikërisht mungesa e procedurave penale”, deklaroi Shala.

Në tryezë nuk morën pjesë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në përfundim, IKD kërkoi që Kuvendi ta trajtojë Nismën Legjislative Qytetare, duke vlerësuar se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm për forcimin e sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe përgjegjësisë institucionale.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram